Ndëshkimi nga UEFA, Daja pas humbjes: Situata jo e mirë, por jemi profesionistë

31/03/2018 16:52

Në transfertën e Shkodrës, u duk sikur asnjë prej “ujqërve të dëborës” nuk ishte i përqendruar për të dhënë 100% kundër kundërshtarit, çka u shfrytëzua mjaft mirë nga lojtarët e Vllaznisë që fituan edhe takimin me rezultatin 2-1.

Por për trajnerin Ilir Daja, pavarësisht se e pranon se situata nuk është fort e mirë, thekson se ai dhe lojtarët do të jenë totalisht të përqendruar në fushën e lojës.

“Situata nuk është fort e mirë, por lojtarët e Skënderbeut janë profesionistë dhe dinë si të sillen në raste të tilla. Unë dhe lojtarët jemi totalisht të përqendruar në fushë, pasi për të tjerat, ka instanca të tjera në klub, që merren”, tha Ilir Daja për Supersport.

Në lidhje me dënimin e dhënë nga UEFA, Daja u përgjigj: “Ishte një dënim shumë i rëndë. Deri diku e prisnim, pasi bëhej fjalë për një vendim që do të jepej nga anëtarë të të njëjtit institucion, që formuluan edhe pretencën, por ndoshta prisnim një dënim më të lehtë”.

Por sa do të ndikojë kjo në ecurinë e kampionatit, me titullin thuajse të hipotekuar, por në lojë është edhe Kupa e Shqipërisë që për ta fituar më parë duhet “kaluar” nga Vlora.

I pyetur nëse kjo humbje do t’i bëjë mirë për në gjysmëfinalen, Daja tha se:”Situata është e vështirë, nuk duhet ta fshehim, por duhet sa më shpejt ta kthejmë këtë situatë. Kishim shumë raste tek porta e kundërshtarit, nuk kemi bërë gjithçka keq. Shpresoj të ndryshojmë sa më shpejt”.

Top Channel