“Gylenistët”, Ipeshkvi i Kosovës: Ata që prenë në besë mikun, dorëzojnë edhe kryeministrin

31/03/2018 23:45

Kundër largimit të 6 gylenistëve nga Kosova ka dalë edhe Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji. Gjatë mbajtjes së meshës në vigjilje të Pashkës katolike, Imzot Dodë Gjergji u shpreh se dërgimi i tyre drejt Turqisë është edhe një tregues për të ardhmen e atyre që sipas tij prenë në besë individë që deri dje cilësoheshin miq.

“E si duket me atë çka kemi dëgjuar sot, ndoshta këta që kanë pre mikun në besë dje, nesër do të jenë të gatshëm ta dorëzojnë edhe kryeministrin”, u shpreh Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji gjatë meshës.

Dodë Gjergji foli gjatë meshës së mbajtur në katedralen Shën Tereza në Prishtine për një klimë të rëndë ne vend, ku tashme dominon mosbesimi, dëshpërimi dhe konfliktualiteti.

E gjitha kjo sic u shpreh Imzot Dodë Gjergji buron nga mungesa e dashurisë. Më herët gjatë së shtunës, Presidenti turk Erdogan u bë pjesë e debatit, duke reaguar pas shkarkimit të ministrit të Brendshëm dhe Shefit të Inteligjencës Kosovare nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Këtij të fundit, Rexhep Taip Erdogan iu drejtua publikisht duke i thënë se ai do të japë llogari për veprimin e tij.

Top Channel