Nuk është aspak e mirë klima tek Skënderbeu, pas vendimit të UEFA-s për të përjashtuar për 10 vitet e ardhshme nga kompeticionet europiane. Kjo u vërejt edhe në fushën e lojës kundër Vllaznisë.

Korçarët pësuan humbjen e 3-të sezonale pasi u mposhtën 2-1 nga Vllaznia në Loro Boriçi, një sfidë të cilën e vendosi sulmuesi Andi Ribaj me dy golat e tij.

Në Shkodër gjithçka u vendos që në pjesën e parë me Ribajn që realizoi dy herë në minutat 2 dhe 43 ndërkohë që Ali Sowe barazoi përkohësisht shifrat në minutën e 20-të.

Pavarësisht humbjes Skënderbeu vazhdon i qetë rrugëtimin drejt titullit kampion, ndërsa Vllaznia në krahun tjetër mbetet e rrezikuar sepse nuk arriti të fitonte aspak terren ndaj Teutës ndjekëse në renditje edhe pse mori një fitore me peshë.

Durrsakëve u mjaftoi një gol i vonë i mbrojtësit Silvestër Shkalla në minutën e 85-të për të mposhtur 1-0 Laçin në Niko Dovana dhe për t’u ngjitur në kuotën e 29 pikëve, 1 më pak se Vllaznia.

Top Channel