Dëbimi i turqve nga Kosova, reagon qendra ‘Gylistan’

31/03/2018 13:02

Qendra e edukimit “Gylistan” reagoi përmes një deklarate për shtyp, ndaj arrestimit dhe largimit të 6 shtetasve turq, 5 nga të cilët, punonjës të këtij rrjeti shkollash, duke shprehur tronditjen e thellë nga ngjarjet e fundit.

Njoftimi sqaron se jo vetëm të ndaluarit, por i gjithë stafi ndërkombëtar i kolegjit “Mehmet Akif” zotëron dokumente qëndrimi të ligjshëm në Kosovë.

Institucioni arsimor kujton se ekstradimi i kuadrit të shkollës po bëhet në kohën kur shtetet perëndimore si Gjermania, Holanda, Franca, Suedia, Austria, Belgjika, apo Amerika e Kanadaja, e kanë marrë në mbrojtje ligjore dhe politike personelin e shkollave të të njëjtit rrjet, për shkak të frikës së persekutimeve, torturave dhe rrezikut ndaj jetës, që u kansoset në Turqi.

“Kjo ngjan me persekutimet, të cilat popullata e Kosovës ka përjetuar gjatë viteve të ’90, nga regjimi i aparteidit dhe mbështetjes dhe mbrojtjes, e cila iu është dhënë popullit të Kosovës nga po të njëjtët shtete”, thuhet në reagimin e stafit.

Familjarët e 6 shtetasve turq pritën me orë të tëra të premten, para aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës, ‘Adem Jashari’, pas njoftimeve të pakonfirmuara se disa nga të arrestuarit ‘nuk janë deportuar në Turqi’, por gjenden në ndërtesën e vjetër të aeroportit.

Kjo e fundit ndodhet pranë objektit të ri, menaxhimin e të cilit e bën konsorciumi turko-francez, ‘Limak-Aeroport de Lyon’, që nga viti 2010. Duke sjellë si dëshmi filmimet e kamerave të sigurisë në aeroport, autoritetet kosovare të sigurisë thanë se qytetarët turq janë larguar me avion të enjten, në orën 11:05 minuta.

Njohësit e zhvillimeve politike në vend thonë se arrestimi i shtetasve turq me lejë të rregullt qëndrimi dhe dëbimi i menjëhershëm i tyre, përbën shkelje të ligjeve në fuqi dhe frymës së Kushtetutës. Ata vënë në dukje mungesën e një marrëveshjeje për ekstradim, ku parashihen kushtet e largimit, si dhe shkeljen e të drejtave themelore të këtyre individëve, si dhe disa konventave ndërkombëtare.

Top Channel