Takimi mes krerëve të shtetit, Veseli: Gabim që s’duhet e s’do të ndodhë më

30/03/2018 15:49

I vetmi që ka folur pas takimit të krerëve të shtetit të Kosovës, pas ngjarjeve të një dite më parë me shtetasit turq që u arrestuan dhe u deportuan (?!) drejt Turqisë, ka qenë kryeparlamentari Kadri Veseli.

Ai është shprehur se ngjarja e djeshme ka qenë një gabim tejet i dëmshëm për qytetarët dhe Republikën e Kosovës.

“Ka pasur defekte brenda funksionimit të institucioneve tona dhe dje ka ndodhur një gabim. Nuk duhet dhe nuk do të ndodhë më kurrë një gjë e tillë. Ai i djeshmi ishte një gabim i dëmshëm për qytetarët dhe shtetin tonë”, ka deklaruar Veseli.

Kryeparlamentari i Kosovës shtoi më tej se janë duke ndërmarrë të gjitha masat, teksa garantoi se do t’i shkojnë deri në fund kësaj çështjeje.

“Kurrë më shumë sesa sot na duhet besimi i qytetarëve”, tha ai. I pyetur se përse presidenti Hashim Thaçi ishte larguar më herët nga takimi, Veseli nuk ka dhënë asnjë përgjigje, sikurse as kryeministri Ramush Haradinaj.

Në takim morën pjesë presidenti, kryeparlamentari, kryeministri, zv.kryeministrat Limaj, Pacolli dhe Hoxhaj, si dhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Top Channel