“Shumë zhurmë për asgjë”, komedia shekspiriane vjen në Tiranë

30/03/2018 10:21

Përballja mes gjinive, ku femrat shpeshherë e gjejnë veten në një botë meshkujsh dhe anasjellas, vjen në sfondin e William Shakespeare dhe komedisë së tij “Shumë zhurmë për asgjë”.

Nga njëra anë radhiten meshkujt me virtytet e tyre dominante si nderi apo solidarizimi në luftë, përkundrejt edukatës dhe dobësisë që karakterizojnë kahun tjetër, femrat, tipare që në Teatrin Eksperimental do të vijnë me lojën e aktorëve Myzafer Zifla, Genc Fuga, Gjergj Mena e shumë të tjerë.

Aktorja Esela Pysqyli shprehet: “Jam shumë e lumtur që përfaqësoj këtë personazh, që përfaqëson femrat që duan të jenë të lira, që nuk japin llogari për jetën e tyre, por që e bëjnë këtë me humor, jo vetëm me kokëfortësi”.

Ndërsa aktori Alert Çeloaliaj theksoi: “Në këtë vepër shihet ajo që qënia njerëzore është jashtëzakonisht e çuditshme: ti mund të gjesh të gjitha karakteret, të gjitha llojet e tipologjive njerëzore, brenda një shtrese, brenda disa shtresave, brenda gjithë shoqërisë”.

Për të ngjitur këtë pjesë në skenë vjen për herë të dytë në Shqipëri regjisori italian Carlo Schiaccaluga: “Është një shfaqje që e kam shumë për zemër, një shfaqje shumë e rëndësishme sepse është një komedi që flet për konfliktin mes burrave dhe grave, por ajo që e bën të veçantë është që e ndan vetëm një fije e hollë nga tragjedia. Kjo komedi është e bukur sepse na paraqet se sa pak e ndan përfundimin tragjik nga fitorja e dashurisë në jetë”.

Pas premierës së 31 marsit, “Shumë zhurmë për asgjë” do të vijojë të shfaqet deri në mesin e muajit prill, nga e mërkura në të dielë.

Top Channel