Nën vështrimin e mprehtë të presidentit Aleksandar Vuçiç dhe diplomatëve të huaj, ushtria e Serbisë tregoi muskujt të enjten, duke qëlluar me municione luftarake në një sulm të improvizuar ndaj pozicioneve të kryengritësve, në një zone stërvitjesh në lindje të Beogradit.

Stërvitja, që mban emrin e koduar “Sinergjia 2018”, vjen tri ditë pasi Policia e Kosovës përdori forcën për shpërndarjen e protestuseve në Mitrovicë dhe arrestoi zyrtarin serb, Marko Gjuriç.

Incidenti përkeqësoi edhe më shumë marrëdhëniet e tensionuara mes Serbisë dhe Kosovës. Komandanti i ushtrisë, gjenerali Ljubisa Dikoviç tha se stërvitja, ku përfshiheshin mbi 900 trupa, ishte pjesë e planeve të trajnimit për vitin 2018.

“Ne kemi pasur gjithmonë ushtarë të mirë. Duam të kemi sa më shumë të tillë dhe duam që ata të jenë edhe më të stërvitur”, tha Aleksandar Vuçiç, presidenti serb.

Duke iu referuar ngjarjes në Mitrovicë, Vuçiç tha se shqiptarëve u lejohet të bëjnë çdo gjë, ndërsa serbët janë gjithmonë ata që fajësohen nga Perëndimi.

Buxheti ushtarak i Serbisë për vitin 2018 është 70.5 miliardë dinarë, (afërisht 595 milionë euro), 23.6 për qind më i lartë sesa vitin e kaluar. Forcat e saj përdorin kryesisht teknologji sovjetike të viteve ’80 dhe Beogradi dëshiron të modernizojë pajisjet. Disa nga armët e përdorura në stërvitje ishin të vjetëruara, por ende funksionale.

Top Channel