Preiti për mediat italiane: Te Partizani lojtarë për Serie A

30/03/2018 16:39

Në një intervistë të dhënë së fundmi për mediat italiane, drejtori sportiv i Partizanit, Antonello Preiti, është shprehur se është përballur me një futboll ndryshe, por thotë se është i kënaqur në vendin tonë.

Ai thekson se futbolli shqiptar është nënvlerësuar përtej detit krahasuar me atë serb apo kroat.

Antonello Preiti zbulon edhe disa emra që nga lojtarët e Partizanit, të cilët sipas tij janë të denjë për Serie A.

Si mund ta përkufizoni punën tuaj në Shqipëri?

Eksperienca në Shqipëri është pozitive, për një njeri si unë që merret me merkaton. Kam njohur një futboll ndryshe dhe jam i kënaqur që ndodhen në këtë vend. Gjeta një situata ku kishte shumë për të ndryshuar, më ka mësuar shumë. Sigurisht që më mungon Italia dhe nuk do ta refuzoja një ofertë të mundshme për t’u rikthyer. E nisëm sezonin me shumë vështirësi, rezultatet nuk erdhën, por tani skuadra ka gjetur fizionominë dhe rezultatet. Ecuria është pozitive dhe do të luftojmë deri në fund për vendin e dytë, që është shumë pranë. Dua të them që futbolli shqiptar është nënvlerësuar, krahasuar me atë kroat apo serb.

Folët për një rikthim të mundshëm në Itali, keni patur ndonjë kontakt?

Diçka po lëviz, të shohim se çfarë do të ndodhë. Nuk mund ta fsheh, do të isha i lumtur nëse rikthehem pas kaq shumë vitesh që kam kaluar në Serinë A. Mendoj se kam arritur diçka me Udinesen dhe Parmën.

Talentet e Partizanit po tërheqin vëmendjen…

Kemi disa. Futbollisti i momentit është Esat Mala. Është rritur shumë muajt e fundit dhe është i pazëvendësueshëm në mesfushën tonë. Ka cilësi dhe fizik të admirueshëm si dhe lëviz mirë edhe pa topin. Prej pak kohësh është bërë pjesë e përfaqësueses U-21 të Kosovës.

Mund të luajë në Serinë A?

Për Serinë A është pa dyshim Alban Hoxha, portieri i tretë i Kombëtares Shqiptare, që për mendimin tim nuk është më pak cilësor se Strakosha dhe Berisha. Ndoshta ka nevojë që t’i jepet një shans, mund të bëjë shumë mirë. Është edhe Trashi, një lojtar i krahut të majtë, perfekt për futbollin italian. Ka forcë, shpejtësi dhe goditje. Tashmë e kërkojnë në Kroaci dhe Turqi.

Po Bardhi? Duket se e kërkojnë…

Po. Është sulmues i dytë, i mirë fizikisht dhe me cilësi, edhe pse është i datëlindjes 1997. Unë e shoh gati për Serinë A dhe në fakt e kanë kërkuar. Po them nja dy fjalë edhe për Gojkovic, mbrojtës i datëlindjes 1995, gati për një skuadër të mirë të Serisë B. Po zhvillon një kampionat shumë të mirë dhe shpresoj të ketë mundësi në nivele më të larta.

Një mendim apo kujtim për Emiliano Mondonicon?

E kam njohur në fund të viteve ‘80, kur nisa të bëja këtë punë, ai ishte trajner i Atalantës. Ma përsëriste sa herë që më takonte: “Rruga është e gjatë, mos hiq dorë kurrë!”. Pas 30 vitesh mund të them që e kam dëgjuar dhe nuk do ta harroj kurrë këtë këshillë.

Top Channel