Pagesat e prapambetura të futbollistëve në Shqipëri janë problem thuajse çdo sezon, me ligat inferiore si gangrenën e të gjithë ekonomisë së varfër të klubeve.

Pas penalizimeve të Kastriotit dhe Dinamos, Flamurtari dhe Tirana janë përballur në të kaluarën e afërt me apele serioze për të shlyer fubtollistë dhe trajnerë, ndërsa tani FIFA “troket” sërish.

Komisioni i Disiplinës në FIFA ka ndëshkuar me heqjen e 3 pikëve në klasifikim klubin e futbollit Shkumbini lidhur me mosdhënien e pagës së lojtarit Federico Mazur. Shkumbini ishte denoncuar nga klubi Atletico All Boys. Për shkak të moszbatimit të vendimit të marrë nga Komisioni i Disiplinës i FIFA-s, më datë 7 Shtator 2017 nga ana e klubit të futbollit Shkumbini, skuadrës peqinase i janë hequr 3 pikë nga renditja aktuale.

Me heqjen e këtyre pikëve, Shkumbini shkon në 12 pikë, duke u renditur në vendin e parafundit të klasifikimit të Grupit B të Kategorisë së Parë.

Kështu pas penalizimit të Skënderbeut nga UEFA për manipulimin e rezultateve, një tjetër këmbanë alarmi vjen nga FIFA, me dënimin e Shkumbinit për pagesat që i detyrohet argjentinasit Mazur.

Top Channel