Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriç paralajmëron së shpejti rikthimin në Kosovë. Duke u mbështetur në burime të ekzekutivit serb, e përditshmja e Beogradit “Danas” thotë se, vizita mund të ndodhë përpara 20 prillit, data kur serbët e Kosovës paralajmëruan themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.
Hyrja e Gjuriçit në vend pa lejen e autoriteteve kosovare u bë shkas për arrestimin e dëbimin me forcë të tij, lëvizje kjo që u pasua me daljen e Listës Serbe nga koalicioni qeveritar.
Mësohet se kjo e fundit ka ngritur dhe një kallëzim penal ndaj Policisë së Kosovës, për shkak të aksionit të së hënës në Mitrovicë.
Kryeparlamentari Kadri Veseli reagoi ashpër në Kuvend, pas fjalimit të njërit prej deputetëve serbë lidhur me ndërhyrjen e policisë, që ligjvënësi e cilësoi si brutale. “Nuk mund të hysh në Kosovë pa leje dhe të mos marrësh përgjegjësi për këtë veprim”, u shpreh ai.
“Ankesat që po bëni merrini përsipër. Turp është të hyj kushdo pa leje në Kosovë dhe të mos marrë përgjegjësi askush. Ky është turpi më i madh dhe askush nuk do të tolerohet që të hyjë në Kosovë si të dojë dhe të sillet si të dojë. Ky është shtet i pavarur dhe sovran dhe kështu do të sillemi deri në fund”, tha Veseli.
Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërkohë, duke cituar faktin që me tërheqjen e Listës Serbe qeveria nuk e ka më shumicën, kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Një qeveri e pakicës nuk mund ta udhëheqë vendin më tej. Si rrjedhim, zgjedhjet e reja janë zgjidhja e vetme për këtë situatë”, tha Avdullah Hoti.
Top Channel