Në prag të Juventus-Milan, Allegri: Chiellini, titullar. Dua titullin!

30/03/2018 13:03

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri doli para medieve për të shpjeguar një pjesë të zgjidhjeve të tij për superndeshjen e kësaj të shtune ndaj Milanit.

Ai premtoi mes të tjerave se do të hedhë në fushë Chiellinin nga minuta e parë, ndërsa nënvizoi se do të bëjnë hapat me radhë, në fillim Serie A dhe më pas do të mendohet për Championsin dhe Realin e Madridit.

“Chiellini është në gjendje të mirë dhe do të luajë, ndërsa Cuadrado do ta nisë nga pankina. Po i rikuperojmë thuajse të gjithë futbollistët në një muaj, ndaj dhe kemi ambicien maksimale deri më 27 maj. Tani, përballë është Milani dhe janë 7 ndeshje deri në përballjen e drejtpërdrejtë me Napolin. Jemi ende të pakënaqur për dy pikët që lamë kundër Spalit”, u shpreh trajneri Allegri.

“Milani, në 10 ndeshjet e fundit ka marrë 8 fitore dhe dy barazime. Do të jetë një ndeshje e ekuilibruar, ashtu siç i ka hije një përballjeje Juventus-Milan. Për Realin e Madridit do të nisim të mendojmë që nga e hëna”, tha më tej trajneri i kampionëve të Italisë.

Top Channel