Flamurtari e shpërdoroi në pak javë renditjen komode që i garantonte pjesëmarrjen në Kupat e Europës, duke zbritur nga vendi i dytë në të pestin.
Kalendari për vlonjatët nuk është aspak i favorshëm pasi këtë të shtunë do të luajnë ndaj Kukësit, një rival direkt për pjesëmarrjen në Europa League.
Rikthimi i disa lojtarëve nga dëmtimet ka ngjallur optimizëm te Flamurtari pasi grupi është më i plotë.
“Na janë rikthyer disa futbollistë nga dëmtimi, ndërsa pranë rikthimit është edhe Muharremi. Kjo ndërprerja sigurisht që na shërbeu”, shprehet trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro.
4 takime do të vendosin fatet e gjithë sezonit sipas trajnerit Duro, në kampionat dhe në Kupën e Shqipërisë 3 herë ndaj Skënderbeut dhe një herë ndaj Kukësit.
“4 takime janë përcaktuese, sidomos dy ndeshjet që kemi në fushën tonë, me Kukësin dhe me Skënderbeun”, shprehet Duro.
Në kampin tjetër, trajneri i Kukësit e shmangu presionin te lojtarët duke e cilësuar një përballje normale.
“Deri në fund do të kemi edhe shumë finale të tjera dhe nuk është vetëm të shtunën një e tillë. Luajmë me një rival direkt dhe duhet ta mbajmë diferencën ose edhe ta thellojmë. Flamurtari ka pasur rikthime nga dëmtimet. Në ekipin tonë nuk kemi shumë lojtarë siç kanë ekipet e tjera dhe mendoj se këto ndeshje do të te shihet së kush ka pasur favorizim nga situatat e fundit”, tha trajneri i Kukësit Pacult.
Flamurtari dhe Kukësi janë ndeshur dy herë deri më tani, përballje në të cilat mbretëroi barazimi.
Top Channel