Drejtuesit e kolegjit “Mehmet Akif”, përmes një njoftimi dërguar medieve pretendojnë se 6 shtetasit turq nuk janë deportuar për në Turqi, por gjenden në Kosovë.
Të afërmit e tyre, nga ana tjetër, u mblodhën përpara ndërtesës së Qeverisë së Kosovës për të kërkuar informacione mbi të ndaluarit, për të cilët nuk dinë asgjë se ku gjenden e çfarë ka ndodhur me ta.
Në njoftimin e mësipërm thuhet se, sipas disa informacioneve të siguruara prej tyre, Mustafa Erdem dhe Yusuf Karabina mbahen ende në Ambasadën turke në Prishtinë, ndërsa Hasan Huseyin Gunakan, Kahraman Demirez dhe Cihan Ozkan mbahen ende të fshehur në Aeroportin ‘Adem Jashari’. I vetmi për të cilin nuk dihet asgjë, është doktori Osman Karakaya.
Të njëjtën gjë ka konsideruar si të mundshme edhe avokati që po qëndronte me familjarët e të arrestuarve para ndërtesës së qeverisë. Por, asnjë konfirmim zyrtar nuk ka nëse ata realisht ndodhen në Kosovë, ndërkohë që Erdogani pretendoi më herët se ata ndodheshin në Stamboll.
Të afërmit e tyre janë pritur në zyrën e kryeministrit, ku iu është dhënë zotimi se do të informohen mbi çdo gjë që ka të bëjë me këtë rast.
Top Channel