Incidenti me Marko Gjuriçin, Vuçiçi konsultohet me Putinin

29/03/2018 10:00

Përfshirja e Rusisë në konfliktin e fundit Kosovë-Serbi mund t’i ndërlikojë përpjekjet e Bashkimit Europian për zgjidhjen e situatës në mënyrë paqësore, shkruan dega e Associated Press në Beograd, e cituar nga mediat kosovare.

Si Beogradi, ashtu edhe Prishtina, duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet mes tyre për t’u anëtarësuar në BE, vazhdon agjensia e njohur, e cila analizon në shkrimin e saj njoftimet e një dite më parë se Presidenti serb Aleksander Vuçiç është konsultuar me shefin e Kremlinit, Vladimir Putin për tensionimin e situatës në veri të Kosovës.

“Edhe pse Serbia zyrtarisht kërkon anëtarësim në BE, kohët e fundit po zhvillon marrëdhënie më të afërta politike e ushtarake me Rusinë”, vëren AP. Vuçiçi i kërkoi kreut të shtetit rus, në një bisedë telefonike, këshilla se si “t’i kundërvihet dhunës dhe agresionit” të Kosovës ndaj serbëve. Deklarata e lëshuar më pas prej Zyrës së Presidenti serb, theksonte se ai e ka informuar Presidentin rus mbi atë që e cilësonte sulm brutal” të Policisë së Kosovës ndaj një zyrtari serb, duke iu referuar arrestimit të Marko Gjuriçit të hënën dhe dëbimit të tij, pasi hyri në Kosovë pa lejen e autoriteteve.

Në deklaratë thuhet se Vuçiçi kërkoi këshillat e Putinit “me pretendimin se është e qartë që shqiptarët e Kosovës gëzojnë një mbështetje të gjerë të një numri vendesh perëndimore për shpalljen e njëanshme të pavarësisë” dhjetë vjet më pare.

Ajo nuk sqaron megjithatë nëse lideri rus i ka ofruar ndonjë këshillë, por nga sa pohon Kremlini, Putini e ka dënuar me forcë arrestimin e Gjuriçit, ndërsa e konsideron provokues aksionin e Prishtinës.

Gjuriç pretendon se është rrahur gjatë ndalimit të tij të shkurtër dhe e përshkroi ndalimin e vet si provë gjenerale për një tentativë të Policisë së Kosovës për të marrë veriun.

Por, Presidenti Hashim Thaçi deklaroi se incidenti nuk ishte gjë tjetër veçse një provokim i Serbisë. Një ditë më parë, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës thanë se nëse Prishtina dhe Perëndimi nuk e themelojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe deri më 20 prill, atëherë do ta bëjnë ata vetë një gjë të tillë.

Top Channel