PAOK-u i Selanikut ndëshkohet nga Federata greke për incidentet e ndodhura në ndeshjen me AEK-un e Athinës, ku u pa të hyjë i armatosur në fushën e lojës pronari i ekipit, Ivan Savidis.

Lajmi bëhet i ditur nga “Sport 24”, sipas të cilit, skuadra e PAOK-ut u dënua me humbjen në tavolinë të ndeshjes me AEK-un, heqjen e 3 pikëve nga sezoni aktual i kampionatit grek, si dhe të dy pikëve për sezonin e ardhshëm.

Në të njëjtën kohë, klubi nga Selaniku u ndëshkua edhe me 63 mijë euro gjobë dhe zhvillimin e 3 ndeshjeve me dyer të mbyllura.

Ndëshkime u dhanë edhe për vet Ivan Savidis, që nuk do të lejohet të hyjë në stadiume për 3 vitet e ardhshme, ndërkohë që u gjobit me 100 mijë euro. Për sa i përket arbitrit të sfidës, Lobos Mikel u dënua me ndalim të hyrjes në stadiume për 90 ditë, si dhe një gjobë prej 15 mijë eurosh.

Incidentet e dhunshme ndodhën më 11 mars, kur Savidis, përveçse hyri në fushën e lojës i armatosur, arriti deri aty sa të kërcënojë arbitrin e sfidës për një gol të anuluar. Kjo ngjarje bëri që qeveria greke të vendoste ndërprerjen e kampionatit grek për disa javë, kompeticion që pritet të rinisë ditët e ardhshme.

Top Channel