Ilirjan Ziu ka aplikuar për fonde për serën e tij në Lushnje.
Së bashku me nënën e tij, Ilirjani prej 25 vitesh punon me një serë në Goricë të Lushnjes. Ata prodhojnë për eksport dhe këtë vit ka aplikuar për ndihmë financiare nga Ministria e Bujqësisë.
“Kam dalë njëherë fitues për prodhimin dhe këtë herë aplikova për ndërrimin e plastmasit. Por këtë herë nuk mendoj se do të fitojë pasi është vënë një kusht që lartësia e serrës të jetë 2.8 metra”, shprehet fermeri.
Arsyeja është se sera e Ilirjan Ziut është e parë dy metra e 60 centimetra, serat e tjera në zonë janë 2 metra e 40 centimetra ndërsa AZHBR, institucioni që do ndajë fondet i kërkon fermerëve që serat t’i kenë mbi 2 metra e 80 të larta.
Por këtë fermer e pengon edhe sipërfaqja e serës që ka. Sipas tij ka pengesa të mëdha që nuk i lejojnë fermerët të rriten edhe nëse kanë dëshirë dhe projekt.
“Nëse do të hapja serra të reja në radhë të parë mua më mungon financimi, ndërsa bankat nuk e njohin tokën bujqësore si kolateral”, shprehet Ilirian Ziu.
Fermeri thotë se edhe kalimi si biznes i madh e penalizon gjithashtu me taksa.
“Punëtorët duhet t’i keshë të përditshëm, por bujqësia punët i ka sezonale”.
Nëna e tij, fermere me eksperiencë kujdeset për çdo bimë të mbjellë. Ashtu si dhe i biri, ajo ka pak shpresë se këtë vit do fitojë mbështetje financiare.
“Vetë ata e dinë se kujt do të ja japin. Të presim fundin”, thotë nëna e Ilirianit.
Top Channel