Mashtrimi me karburantet. Gjykata dënon me 10 vite Ardian Xhillarin. Doganierët dalin pa faj

29/03/2018 14:55

Skandali me tregtinë e naftës “virgin” si benzinë përfundon me dënimin vetëm të administratorit të kompansië “Tea Konstruksion e Petrol”, Ardian Xhillari.

Gjykata e Tiranës vendosi të enjten dënimin e Xhillarit me 15 vite burg, nga të cilat do të vuajë vetëm 10 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ndërsa dy ish-zyrtarët e lartë të Doganave, Lula Njebza dhe ish-drejtori i Degës Doganore të Tiranës, Mirëarbër Teneqexhiu, të cilët u akuzuan për shpërdorim detyre, morën pafajësi.

Ardian Xhillari u shpall fajtor për fshehje të ardhurash, mospagim taskash në vlerën e mbi 240 milionë lekëve dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Në vendim, gjyqtarja Adriana Bera ka caktuar një dënim me mbyllje të aktivitetit si person juridik edhe të kompanisë “Tea kontruksion and Petrol”.

Nga gjykimi i kësaj çështjeje, rezultoi se Ardian Xhillari ka futur në tregun vendas naftë “virgin” që është e ndaluar të tregtohet, pasi është e papërpunuar. Këtë mashtrim, sipas prokurorisë, ai e ka realizuar me ndihmën e dy ish-zyrtarëve të lartë të Doganave, Lula Njebza dhe Mirëarbër Teneqexhiu, të cilët kanë kaluar dhe lejuar praktika fiktive të lëvizjes së naftës, nga depozitat në Mëzez, në uzinën e përpunimit në Ballsh, kur në të vërtetë lënda djegëse nuk ka lëvizur fare.

Por, gjykata nuk e pranoi këtë version të organit të akuzës, duke i deklaruar të pafajshëm dy ish-zyrtarët e lartë të doganave.

Aktualisht, Ardian Xhillari mbahet i arrestuar në Gjermani, në pritje të procedurave të esktradimit drejt Shqipërisë, ndërsa dy ish-zyrtarët Njebza dhe Teneqexhiu janë hetuar dhe gjykuar në masat e sigurisë arrest me burg dhe pas këtij vendimi pritet të kërkojnë edhe dëmshpërblim për burgim të padrejtë.

Top Channel