Elita e futbollit europian, në pritje të kampionëve sezonalë

29/03/2018 13:07

Kampionatet në Europë rinisin pas pushimit të detyruar për t’iu lënë hapësirë ndeshjeve të ekipeve kombëtare.

Në pjesën më të madhe të kampionateve të kontinentit të vjetër janë konfiguruar skuadrat që do të fitojnë titullin kampion për këtë sezon.

Bayern Munchen, me shumë gjasa do të jetë skuadra e parë që do të festojë përpara kohe titullin kampion. Të shtunën, Bayern do të luajë me Dortmundin, ndërsa Schalke e vendit të dytë me Freiburgun.

Nëse Bayern fiton dhe Schalke humbet ose barazon, atëherë bavarezët do të festojnë triumfin.

Në Angli, Manchester City ka vendosur diktatin në Premier League dhe është 16 pikë larg Manchester United. Nëse këto dy skuadra fitojnë ndeshjet e tyre të kësaj fundjave, respektivisht ndaj Everton dhe Swansea, atëherë çështja e titullit mund të vendoset në përballjen mes tyre.

Nëse “Citizens” do të fitojnë derbin me “djajtë e kuq”, ata do të shpallen kampionë të Anglisë.

Në Francë, Paris Saint Germain është kthyer të dominojë Ligue 1. Skuadra e Unai Emery mund të fitojë titullin në dy ndeshjet e radhës, duke qenë se diferenca me Monacon është 17 pikë.

PSG-ja mund ta fitojë titullin ose në ndeshjen me Saint-Étienne, ose ndaj Monacos, teksa me këtë të fundit do të përballet më 15 prill.

Në Spanjë, Barcelona kryeson La Ligën me 11 pikë më shumë sesa Atletico Madrid. Nëse katalanasit dhe madrilenët fitojnë të gjitha ndeshjet e tyre deri më 6 maj, atëherë Barcelona mund ta festojë titullin në “El Clasico”-n me Realin e Madridit, që do të luhet në “Camp Nou”.

Kampionatet më të hapura janë italiani dhe portugezi. Në të dyja rastet, diferenca mes skuadrës së vendit të parë dhe të dytë është vetëm dy pikë.

Në Serie A, Juventusi mund ta japë “goditjen përfundimtare” 5 javë nga fundi i kampionatit. Më 22 prill, “Zonja e vjetër” do të përballet me Napolin e vendit të dytë. Nëse fiton, Juventusi do të rrisë diferencën me skuadrën e Sarrit. Situatë e ngjashme është ajo e Portos, që më 15 prill do të luajnë me Benficën, ndaj së cilës do të tentojë të rrisë avantazhin.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel