Ambasada e SHBA në Kosovë: Rrezik sulmesh terroriste për Pashkë

29/03/2018 10:36

Përmes një njoftimi në faqen e saj zyrtare në internet, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka paralajmëruar qytetarët amerikanë atje mbi rrezikun e shtuar të sulmeve terroriste në vend, sidomos gjatë sezonit festiv.

Misioni diplomatik i Uashingtonit këshillon për kujdes gjatë kremtimeve dhe shfaqjeve që lidhen me Pashkët katolike e ato ortodokse.

“Ekstremistët, – kujton njoftimi, – vazhdojnë të përqëndrohen në vendet turistike, qendra tregtare, bare, objekte të kultit dhe shënjestra të tjera civile”.

“Ju lutemi të ushtroni vigjilencë shtesë në këto vende dhe të tjera të ngjashme me to”, vazhdon njoftimi, i shoqëruar edhe me një seri udhëzimesh të qarta për qytetarët.

Atyre u kërkohet ndër të tjera të mos tërheqin vëmendjen te vetja si amerikanë, të jenë të vetëdijshëm për mjedisin duke identifikuar vendndodhjen e daljeve të emergjencës e shërbimeve të sigurisë, si dhe shmangien e turmave festive apo tubimeve.

Vetëm pak ditë përpara vrasjes së bujshme të politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç, Ambasada amerikane në Prishtinë pati lëshuar një paralajmërim të ngjashëm për të gjithë qytetarët amerikanë që planifikonin udhëtimin drejt Kosovës, e sidomos Veriut të vendit; kryesisht Mitrovicës, Zubin-Potokut e Zveçanit, duke iu kërkuar të bënin kujdes për shkak të trazirave dhe sulmeve të mundshme terroriste.

Njoftimi i saj do të tingëllonte më shumë si profeci, kur vetëm disa ditë më pas, Ivanoviçi u qëllua për vdekje me 5 plumba. Shtetet e Bashkuara paralajmëruan asokohe se veprime të dhunshme të motivuara politikisht mund të ndodhnin në Kosovë.

Top Channel