Serbët mblidhen sërish në Veri, për Asociacionin e sigurinë

28/03/2018 11:42
Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiç

Këshilltarët e 10 komunave me shumicë serbe mblidhen në Mitrovicë në mënyrë simbolike në orën 12:44, numri i rezolutës së Këshillit të OKB-së për Kosovën.

Takimi zhvillohet pikërisht në ambientet e qendrës së mësyrë të hënën nga njësitë policore të Kosovës, e do të ketë vetëm një çështje diskutimi: Situatën politike dhe atë të sigurisë në Veri.

Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë paralajmëruar se, më 20 prill do të formojnë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, për të cilin thonë se do të jetë në përputhje me parimet e marrëveshjes së Brukselit.

Sipas shtypit serb, Asociacioni do të ketë kryetarin e tij, zëvendësin, Këshillin, si dhe Kuvendin, e atë do ta përbëjnë përfaqësuesit e 10 komunave me shumicë serbe.

Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiç thotë se, dobi nga Asociacioni do të kenë jo vetëm serbët, por edhe shqiptarët, sepse do të kenë një zë që do të flasë në emër të serbëve në Kosovë, ndërsa bashkësia ndërkombëtare do të ketë një negociator të përshtatshëm, kur bëhet fjalë për problemet e këtij komuniteti.

Top Channel