Sabatini zgjidh kontratën me “Suning”, largohet nga Interi

28/03/2018 12:13

Tashmë është zyrtare. Walter Sabatini nuk është më drejtor tenik i “Suning Sports”, e si rrjedhojë është larguar edhe nga Interi.

Lajmi u konfirmua nga vet kompania kineze, që ka në pronësi klubin zikaltër, nëpërmjet një komunikate për shtyp, ku theksohet se kjo kompani dhe Sabatini arritën një marrëveshje për të mbyllur përpara kohe kontratën që i lidhte së bashku, me Sabatinin që nuk do të mbulojë më rolin e drejtorit teknik.

Në të njëjtën kohë, në këtë komunikatë theksohet se klubi i Interit i uron Sabatinit më të mirën për të ardhmen.

Raporti mes Sabatinit dhe “Suning” zgjati më pak se një vit dhe nuk mund të thuhet se ishte shumë i mirë, kjo edhe për shkak të kufizimeve financiare që “Suning” imponoi në klub për merkaton, për të respektuar rregullin e “Fair Play”-t financiar.

Walter Sabatini, që ishte mësuar të vepronte në autonomi të plotë dhe me shumë shpejtësi, gjatë qëndrimit tek Interi u përball me drejtues që vononin shumë në marrjen e vendimeve, që për më tepër ishin edhe kontradiktorë e kompleks, duke bërë që të venitet besimi i tij.

Sabatini erdhi tek Interi për të ndërtuar një skuadër në gjendje për t’u rikthyer në Champions League dhe të aftë për të rivalizuar për titullin në Serie A. Por, me kalimin e kohës, ai pa që t’i ndryshonin objektivat, e kulmi arriti në merkaton dimërore, kur pa që të dështojnë dy operacione të orkestruara mirë prej tij, blerja e Ramiresit dhe Pastores.

Kjo lëvizje e Sabatinit erdhi një ditë pas largimit të Capellos, që zgjidhi kontratën me klubin Jiangsu Suning, pas vetëm 3 javëve të para të kampionatit kinez.

Top Channel