Fëmijët francezë do ta nisin shkollën në moshën trevjeçare, e jo më 6 vjeç siç është vepruar deri tani.
Reformat e reja të propozuara nga presidenti Emmanuel Macron e bëjnë Francën njërin prej vendeve me moshën më të vogël të arsimit të detyrueshëm në Europë.
Megjithatë, duket se numri i të miturve të prekur prej saj nuk ka për të qenë shumë i madh, pasi një pjesë e mirë e familjeve franceze zgjedhin t’i çojnë fëmijët e tyre në institucione të arsimit parashkollor që 3 vjeç.
Praktikisht, nga sa tregojnë të dhënat qeveritare, vetëm 2.4% e fëmijëve në vend nuk regjistrohen që në atë moshë.
Shefi i Elizesë e bëri të qartë se ndryshimi synon të reduktojë pabarazinë në arsim, pasi prindërit në zonat më të varfra të Francës dhe territoret e përtej detit kanë më pak mundësi për t’i bërë fëmijët e tyre pjesë të sistemit parashkollor.
Sipas “Le Monde”, shifrat, që për Parisin mbërrijnë nivelin 93%, janë shumë të ulëta në disa prej territoreve franceze jashtë kufijve.
“Shpresoj që përmes këtij detyrimi, me fillimin e vitit shkollor 2019 do të kemi mundësi ta korrigjojmë më në fund për dallim të papranueshëm”, u shpreh Macron, që e cilësoi ndryshimin një moment kyç në sistemin arsimor francez.
Fëmijët në Irlandën e Veriut e nisin shkollën 4 vjeç; në Qipro, Angli, Maltë, Skoci e Uells, 5 vjeç; në shumicën e vendeve të tjera europiane, përfshirë Austrinë, Belgjikën, Kroacinë, Danimarkën, Gjermaninë, Greqinë, etj., funksionon mosha e konsideruar me vite si më e përshtatshmja, 6 vjeç; ndërsa në disa pjesë të tjera të kontinentit të vjetër, si në Suedi, Bullgari, Serbi dhe në 3 vendet me sistemin më të suksesshëm akademik, Finlanda, Polonia dhe Estonia, konsiderohet më e arsyeshme mosha 7 vjeç.
Një studim i publikuar në vitin 2015 tregoi se fëmijët që fillonin shkollën më vonë ishin më pak të pavëmendshëm apo hiperkaktiv në klasë, por ata që janë pjesë e sistemit parashkollor nga ana tjetër e marrin informacionin përmes lojërave e kanë klasa më të vogla.
Top Channel