Vendimi i Amerikës për të hequr dorë nga rendi botëror që e ndihmoi vetë të rritej dhe e ruajti për më shumë se 70 vjet, shënon një pikë të madhe kthese, sepse të tjerët ose nuk kanë interesin, ose nuk kanë mjetet për ta ruajtur. Si rezultat do të kemi një botë më pak të lirë, më pak të begatë dhe më pak paqësore, si për amerikanët ashtu dhe për të tjerët.
Nju Delhi – “Pas 1000 vitesh ekzistencë”, ka thënë në një lojë fjalësh filozofi dhe shkencëtari francez, Volter, “Perandoria e Shenjtë Romake, tashmë në rënie, nuk ishte më as e shenjtë, as romake, dhe as perandori”. Sot, rreth 250 vite më vonë, rendi botëror liberal nuk është më as liberal, as botëror, as rend.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në bashkëpunim me Britaninë e Madhe dhe të tjerë, e vendosën rendin liberal botëror pas Luftës së Dytë Botërore. Synimi ishte të mos lejohej përsëritja e rrethanave që e çuan botën drejt dy luftërave botërore brenda 30 vitesh.
Për këtë qëllim, vendet demokratike krijuan një sistem ndërkombëtar që ishte liberal për faktin se bazohej në forcën e ligjit; respektonte sovranitetin dhe të tërësinë territoriale të çdo vendi; dhe se duheshin mbrojtur të drejtat e njeriut. Kjo do të vihej në zbatim në të gjithë planetin, por në të njëjtën kohë, pjesëmarrja duhej të ishte e hapur për të gjithë dhe me dëshirën e tyre. U ngritën institucione për të promovuar paqen, (Kombet e Bashkuara), zhvillimin ekonomik (Banka Botërore), tregtinë dhe investimet (FMN dhe ajo që më vonë u kthye në Organizatën Botërore të Tregtisë).
Të gjitha këto, e madje më shumë se aq, kishin si mbështetje ekonominë dhe fuqinë ushtarake të SHBA-ve; një rrjet aleancash nëpër Europë dhe Azi; si dhe armë bërthamore që shërbenin për të shmangur agresione. Pra, rendi liberal botëror nuk mbahej vetëm me ideale demokracie, por edhe me fuqi konkrete. E gjitha kjo nuk humbi as kundër një Bashkimi Sovjetik aspak liberal, i cili kishte një tjetër botëkuptim për atë që quhej “rend” në Europë dhe nëpër botë.
Rendi liberal botëror u duk më i fortë se kurrë me mbarimin e Luftës së Ftohtë dhe me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Por sot, një çerek shekulli më vonë, e ardhmja e tij është vënë në dyshim. Tre përbërësit kryesorë: liberalizmi, universalja dhe ruajtja e rendit, po sfidohen si kurrë më parë pikërisht në 70 vjetorin e tyre.
Liberalizmi është në rënie. Demokracitë po ndiejnë pasojat e rritjes së populizmit. Partitë ekstreme kanë fituar terren në Europë. Vota në Britani për t’u shkëputur nga BE vërtetoi humbjen e ndikimit të elitave. Edhe SHBA po sheh sulme të paprecedentë nga Presidenti i vet kundër medieve, gjykatave dhe institucioneve ligj-zbatuese. Sistemet autoritare si Kina, Rusia dhe Turqia janë bërë gjithnjë e më të fuqishme. Vende si Hungaria dhe Polonia nuk duket se kanë interes për fatin e demokracive të tyre të reja.
Sa vjen e bëhet më e vështirë të flasësh për botën si një e tërë. Po shohim të shfaqen rende ligjore rajonale, (ose, siç ndodh më dukshëm në Lindjen e Mesme, rrëmuja) secila me karakteristikat e veta. Përpjekjet për të ndërtuar një strukturë botërore po dështojnë. Proteksionizmi është në rritje; bisedimet e fundit për tregti botërore nuk sollën fryte. Ekzistojnë vetëm pak rregulla që qeverisin përdorimin e hapësirës kibernetike.
Në të njëjtën kohë, po kthehet rivaliteti mes fuqive të mëdha. Rusia shkeli normat më bazike të marrëdhënieve ndërkombëtare kur përdori forca të armatosura për të ndryshuar kufijtë në Europë, si dhe ndërhyri në sovranitetin e SHBA-ve me përpjekjet për të ndikuar zgjedhjet e vitit 2016. Koreja e Veriut ka shpërfillur konsensusin ndërkombëtar kundër prodhimit të armëve bërthamore. Bota rrinte e shihte teksa në Siri dhe Jemen ndodhnin tmerre humanitare, si dhe bënë shumë pak nëpërmjet OKB-s dhe organizatave të tjera kundër përdorimit të armëve kimike nga qeveria siriane. Venezuela është një shtet që po shkon drejt shkatërrimit. Në çdo 100 banorë të tokës, 1 është ose refugjat, ose i dëbuar.
Ka shumë arsye se pse po ndodhin të gjitha këto, dhe se pse po ndodhin tani. Rritja e populizmit është, pjesërisht, përgjigje ndaj humbjes së vendeve të punës dhe pakësimit të të ardhurave, e shkaktuar kryesisht nga teknologjitë e reja, por që i është atribuuar gjithashtu shtimit të emigrantëve. Nacionalizmi po përdoret gjithnjë e më shumë nga udhëheqësit për të forcuar autoritetin e tyre, sidomos në vende që janë në kushte të vështira ekonomike dhe politike. Institucionet botërore nuk kanë arritur të përshtaten me teknologjitë dhe ekuilibrat e reja të pushtetit.
Por rendi liberal botëror është dobësuar më shumë nga ndryshimi i sjelljes së SHBA-ve. Me Presidentin Trump, SHBA-të vendosën të shkëputen nga Partneriteti Trans-Paqësor dhe të tërhiqen nga marrëveshja e Parisit për klimën. Amerika ka kërcënuar të shkëputet edhe nga NAFTA, (Marrëveshja e Amerikës së Veriut për Tregti të Lirë), si dhe nga marrëveshja bërthamore e Iranit. SHBA-të kanë vendosur në mënyrë të njëanshme tarifa të reja për çelikun dhe aluminin, duke u bazuar mbi një justifikim (për sigurinë kombëtare) që mund ta përdorin edhe të tjerë, duke e futur botën në rrezik lufte tregtare. Amerika ka vënë në dyshim angazhimin në NATO dhe në aleanca të tjera, si dhe flet shumë rrallë për demokraci dhe të drejta njeriu. “Amerika e Para” dhe “rendi liberal botëror” nuk përputhen shumë me njëra-tjetrën.
Qëllimi im nuk është të veçoj SHBA-të për kritika. Fuqitë e mëdha sot, që nga BE, Rusia, Kina, India dhe Japonia, mund të qortohen për çfarë po bëjnë e për çfarë nuk po bëjnë. Por SHBA-të nuk janë një vend si të tjerët. SHBA-të kanë qenë kryearkitektët e rendit liberal botëror dhe mbështetësit kryesorë. Kanë qenë gjithashtu edhe përfituesit kryesorë.
Vendimi i Amerikës për të braktisur rolin që ka luajtur në më shumë se shtatë dekada shënon një pikë të fortë kthese. Rendi i botës liberale nuk mund të mbijetojë vetë, sepse të tjerët ose nuk kanë interes, ose nuk kanë mjetet për ta mbrojtur. Rezultati do të jetë një botë më pak e lirë, më pak e begatë dhe më pak paqësore, si për amerikanët ashtu dhe për të tjerët.
Richard N. Hass, Kryetar i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë. Në vitin 2001-2003 ka qenë Drejtor i Hartimit të Politikave në Departamentin Amerikan të Shtetit, dhe i dërguari i posaçëm i Presidentit George. W. Bush në Irlandën e Veriut, si dhe Koordinator për të Ardhmen e Afganistanit. Është autor i “Bota në Trazira: Politika e Jashtme Amerikane dhe Kriza e Rendit të Vjetër”. Marrë nga project-syndicate.org.
Top Channel