Piramida do të shndërrohet shumë shpejt në një tjetër kartolinë të bukur të Tiranës. Kreu i bashkisë, Erion Veliaj dhe dy bashkëdrejtuesit e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF), Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për kthimin e Piramidës në qendrën më të madhe multifunksionale për të rinjtë, e fokusuar kryesisht në arsimimin digjital, por dhe të artit e kulturës.
“Hedhim hapin e parë zyrtar për formalizimin e një marrëveshje midis Bashkisë Tiranës dhe AADF për të transformuar Piramidën e Tiranës, ndërtesën më ikonike të qytetit tonë, në qendrën më të madhe për të rinjtë, kryesisht e fokusuar në arsimimin digjital, në kulturën e teknologjisë së informacionit dhe në funksion të artit, kulturës dhe kurseve profesionale apo hapësirave të tjera rinore”, theksoi Veliaj.
Piramida do të shërbejë si një lloj inkubatori për bizneset në fushën e inovacionit, artit dhe kulturës. Veliaj sqaroi se projekti është i ndarë në dy faza: së pari, nis puna për rehabilitimin e godinës dhe së dyti, mirëmenaxhimi i saj, duke qenë se do të mirëpresë deri në 5 mijë të rinj në ditë. “Vendosja e kësaj ndërtese në shërbim të të rinjve të Tiranës do të ketë një efekt transformues për qytetin tonë. Për këtë projekt janë bashkuar më të mirët e pushtetit vendor, me më të mirët nga bota e filantropisë edhe projekteve të guximshme, si AADF”, tha ai.
Aktualisht, Bashkia e Tiranës është duke biseduar me disa nga studiot më të mira të arkitektëve dhe brenda Majit do të bëhet edhe prezantimi publik i asaj që do të ndodhë me Piramidën.
“Nëse vazhdojmë dhe punojmë të fokusuar te puna dhe jo te fjalët, besoj se pjesën e infrastrukturës do ta mbarojmë shpejt, për të nisur më pas me një punë më afatgjatë, atë të mësimdhënies dhe një kulture digjitale për të rinjtë e Tiranës”, shtoi Veliaj.
Rreth 5 mijë të rinjtë që do të frekuentojnë mjediset e transformuara të Piramidës do të kenë mundësi të ndjekin kurse të ndryshme në fushën e IT dhe të komunikacionit, sikurse është dizajni, programimi etj.
Top Channel