Serbët tërhiqen, “Haradinaj” s’ka më mazhorancën. Kryeministri: Nuk dorëhiqem

27/03/2018 14:08

Pas konsultimeve me presidentin Aleksandar Vuçiç, Lista Serbe vendosi të braktisë ekzekutivin kosovar, duke nxitur zërat se një lëvizje e tillë mund të çojë drejt rrëzimit të qeverisë kosovare.

Por, pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë, kryeministri Ramush Haradinaj e zbehu perspektivën e këtij skenari. Ai tha se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen dhe se ka grupe të tjera parlamentare për të bërë koalicion.

“Marrja e një vendimi për largim nga koalicioni është e pakuptueshme”, ka konsideruar kryeministri në një konferencë për mediet.

“Veprimi i djeshëm nuk ka qenë i drejtuar kundër qytetarëve serbë, sikurse as zyrtarëve serbë, por i atyre që kanë shkelur ligjin. Dorëheqjen nuk e kam në plan për ta dhënë. Punën do ta vazhdoj”, u shpreh Haradinaj.

Kryeministri mbrojti vendimin e dëbimit të shefit të Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriç, pas hyrjes ilegalisht në territorin kosovar, veprim ky që solli reagimin e ashpër të serbëve.

“Sikur Gjuriç të kishte pritur 72 orë, ai do të mund të vinte”, tha kreu i ekzekutivit kosovar. “Nuk është çështje e demonstrimit të forcës, por zbatimit të ligjit. Unë kam qenë në çdo kohë dhe në dijeni për procesin”, shtoi ai.

Haradinaj theksoi në mënyrë të veçantë, faktin që pas largimit të Listës Serbe nga koalicioni ka marrë mbështetjen e shumë deputetëve.

Në përgjigje të arrestimit të Marko Gjuriçit një ditë më parë dhe largimit të tij me forcë nga Kosova, serbët bllokuan më herët disa rrugë në veri me makina e kamionë, një praktikë kjo aspak e re për ta.

Në Kosovë, disa e shohin veprimin e zyrtarëve serbë si provokim të pastër. Ai erdhi pak ditë pas darkës së presidentëve Thaçi-Vuçiç në Bruksel, e vetëm pak orë pas pajtimit të Prishtinës zyrtare që të nisin angazhimet për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, të cilin Lista Serbe deklaron se do të përpiqet ta formojë vet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA