Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini do të udhëtojë pasditen e së martës drejt Beogradit, për të biseduar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Lajmin e konfirmoi vet zëdhënësja e saj, Maja Koçijançiç.

Vizita urgjente pason arrestimin e shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, si dhe zinxhirin e ngjarjeve që pasuan këtë moment, duke kulmuar me largimin e “Listës Serbe” nga koalicioni qeverisës.

“E kemi thënë qartë se ftojmë autoritetet në Serbi dhe Kosovë të dëshmojnë përmbajtje të domosdoshme dhe pjekuri, në mënyrë që situata në Kosovë të mos përshkallëzojë”, deklaroi Koçijançiç në takimin e rregullt me gazetarët në Bruksel.

Vetëm përpara pak ditësh, presidenti Thaçi e ai Vuçiç u takuan me Mogherinin në kryeqytetin belg, për të diskutuar mbi kornizën e fazës së re të dialogut Prishtinë-Beograd, si dhe përgatitjet e një ujdie gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Top Channel