Milan, Conti ndalet sërish. Dyshohet dëmtim në gjurin e operuar

27/03/2018 14:34

Ai konsiderohej si “arma shtesë” që Milani mund të kishte në dispozicion në këtë fundsezoni, në betejën për të siguruar vendin e katërt në klasifikim, që do të nënkuptonte kualifikimin në Champions sezonin e ardhshëm.

Por Andrea Conti, mbrojtësi i djathtë i ardhur nga Atalanta e që luajti shumë pak ndeshje në fillim të Serie A, për t’u dëmtuar më pas në gju, një dëmtim që e la jashtë fushave të blerta prej mbi 6 muajsh.

E pikërisht tani që u duk se po rikthehej, mbrojtësi anësor ka pësuar një tjetër dëmtim mëngjesin e kësaj të marte në stërvitje, dyshohet në të njëjtin gju që operoi shtatorin e vitit të kaluar.

Conti është dërguar menjëherë në një klinikë për të kryer testet e për të sqaruar peshën e këtij dëmtimi të ri, sigurisht edhe kohën e nevojshme të rikuperimit.

Mbrojtësi i kombëtares italiane të futbollit u grumbullua, për herë të parë pas 6 muajsh, në takimin që Milani fitoi ndaj Chievos, përpara pushimit për t’i lënë hapësirën dueleve të kombëtareve, e me shumë mundësi do të aktivizohej në fundjavë me ekipin e “Primaverës” (të rinjtë e Milanit). Tashmë drejtuesit i frikësohen një tjetër ndalese të gjatë për të.

Top Channel