Majko e Nikolla me kryebashkiakun e Bolonjës; Mësimi i gjuhës shqipe të përfshihet në sistem

27/03/2018 13:23

Në një takim me kryebashkiakun e Bolonjës ministri i Diasporës Pandeli Majko dhe ajo e Arsimit Lindita Nikolla kanë kërkuar që të përfshihet në sistem edhe mësimi i gjuhës shqipe.

Ata janë takuar me kryebashkiakun Virginio Merola dhe Zëvendëskryetaren Marinela Pilati. Duke i falenderuar për mbështetjen që u kanë ofruar studentëve shqiptarë, Ministri Majko kërkoi mbështetjen e autoriteteve rajonale që fëmijët shqiptarë të mësojnë gjuhën shqipe.

“Do t’iu ishim shumë mirënjohës nëse do të na ndihmoni në këtë aspekt”, ishin fjalët e Ministrit, i cili i njohu zyrtarët e lartë me eksperiencat pozitive që kishte hasur në vende të tjera, ku krijohej hapësira e mësimit të shqipes gjatë fundjavës.

“Shqiptarët nuk ndihen shumë si diasporë në Itali për shkak të marrëdhënies së veçantë që kanë me këtë shtet. Për këtë arsye, ne kemi ardhur këtu për të nxitur risktrukturim të një komuniteti që nuk është më vetëm i madh por edhe shumë cilësor. Po mendojmë edhe për organizimin e rrjeteve shqiptare të biznesit, sepse besojmë që kjo gjë do të ndihmojë në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve”, u shpreh Ministri.

Ndërkaq, Ministrja u ndal tek projektet e marrëveshjet e përbashkëta me Italinë në fushën e arsimit, të cilat kanë ndihmuar në ringritjen e sistemit arsimor shqiptar në parametra tepër cilësorë. Duke iu referuar projektit “Iliria”, mbi bazë të së cilit italishtja është gjuhë e parë për 30 përqind të studentëve në Shqipëri, Ministrja e Arsimit kërkoi bashkëpunimin e autoriteteve rajonale për të mundësuar mësimin e shqipes ne këtë qytet.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që në një Europë multikulturore e shumëgjuhësore edhe fëmijët shqiptarë të kenë mundësinë të studiojnë gjuhën shqipe. Ne do të donim që të ndihmonit më shumë shoqatat shqiptare, që përmes mësuesëve të mirëtrajnuar, të kenë mundesi të ofrojnë mësime cilësore të gjuhës shqipe”, tha znj. Nikolla.

Nga ana e tyre zyrtarët italianë theksuan rëndësinë që krahas përpjekjeve për integrimin e fëmijëvë shqiptarë në Itali, të punohet edhe për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit të vendit të origjinës. Ata u shprehën të gatshëm që të konsiderojnë mundësinë e vënies në dispozicion të hapësirave ku mund të zbatohet ky lloj program për fëmijët e të rinjtë shqiptarë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA