Rummenigge, i sigurtë: Lewandowski qëndron te Bayern Munchen

26/03/2018 13:08

Robert Lewandowski do të qëndrojë te Bayern Munchen edhe sezonin e ardhshëm.

Karl-Heinz Rummenigge është pikërisht ai që e konfirmoi këtë në një intervistë për revistën “Kicker”, duke iu kundërpërgjigjur me forcë interesit të Realit të Madridit për sulmuesin polak.

“Vë bast se Lewandowski do të jetë pjesë e Bayernit edhe sezonin tjetër. Askush nuk mund të blejë një futbollist të Bayern Munchen pa dëshirën e klubit”, tha Rummenigge.

Rummenigge kujtoi edhe atë çfarë ndodhi në vitin 2008 me Franck Ribery, kur Chelsea ofroi 80 milionë euro për të, së bashku me kartonin e Jose Bosingwa, ofertë që në atë kohë u refuzua nga klubi bavarez.

Këtë pozicion, kampionët e Gjermanisë po e mbajnë edhe me Lewandowskin, i cili së fundmi është vënë në qendër të zërave spekulative për largimin e tij nga bavarezët.

Fakti që polaku ndryshoi agjent ditët e fundit nuk ka bërë gjë tjetër veçse i ka shtuar këto zëra, edhe pse Lewandowski ka një kontratë me Bayernin deri në vitin 2021, kontratë në të cilën nuk ekziston asnjë klauzolë e zgjidhjes së saj.

Top Channel