Pranvera e hidhur e Sandër Prosit; 33 vite më parë u largua nga jeta aktori i madh

26/03/2018 21:01

Sot mbushen 33 vite që kur Sander Prosi, aktori i madh i kinematografisë ndërroi jetë. Ai la në mes xhirimet e filmit, pranvera e hidhur. Sandër Prosi do të mbahet mend gjatë për një trashëgimi të madhe me interpretimet.

Ismail Qemali tek filmi “Nëntori i Dytë”, profesor Halimi tek “Fije që priten”si edhe dhjetëra e dhjetëra role, që edhe pse kanë kaluar 33 vite nga ndarja e tij nga jeta, janë role të skalitura në memorien e shikuesit.

Sandër Prosi nuk ishte vetëm një aktor kalibri për shikuesin e gjerë, por edhe një njeri me shpirt të madh, për të gjithë ata që patën fatin ta njohin. Trajektoret e Prosit dhe atij që do të bëhej një nga miqtë më të mirë, Mevlan Shanaj, u takuan kur Shanaj ishte ende një adoleshent, teksa shihte Prosin të interpretonte rolin e tij në pjesën ‘Horati-Mik i Hamletit”.

“Sandër Prosi, jo tek unë që kam qenë mik i tij, bashkëpunëtor si aktor, e kam pasur edhe në një film, por këto nuk bëjnë asgjë, sepse çdokush në Shqipëri e di madhështinë e interpretimit të Sandër Prosit, por unë dua të them diçka tjetër: Pse Sandër Prosi edhe pas kaq vitesh, rrezaton këtë mirësi? Pikërisht sepse ishte fisnik, një burrë me shpirt të madh. Ai ka hyrë tek njerëzit klasike të mëdhenj të Shqipërisë”, tha regjisori Mevlan Shanaj.

‘Udha e Shkronjave’, ‘Kush vdes në këmbë’, ‘Dora e ngrohtë”, “Përballimi” “Njeriu me top” janë vetëm disa nga titujt e filmave ku Prosi ka interpretuar, që do të ishin edhe më shumë nëse pranvera e vitit 1985 nuk do t’ia kishte mbyllur sytë përjetë.

“Për herë të parë jam takuar partner tek “I Teti në Bronx” në vitin 1969, pastaj më pas miqësia ka qenë e gjithkundshme edhe tek filmi “Guximtarët”, më pas tek “Plumba Perandorit”, por ai nuk erdhi si aktor, erdhi si një mik, i cili gjithmonë më ka qëndruar pranë dhe me ka dhënë këshilla, këshilla që çdo njeri që ka dëshirë të mbetet mik i skenës dhe i ekranit i ruan si pasuri të çmuar”, u shpreh Mevlan Shanaj.

Top Channel