NBA, humbasin Toronto dhe Golden State

26/03/2018 10:20

Toronto ngadalëson hapin në mbrëmjen e radhës në kampionatin e NBA.

Raptors-at u mposhtën nga LA Clippers 117-106 në “Air Canada Center”, në një ndeshje që u duk sikur do ta kishte të lehtë për ta fituar. Toronto mori një avantazh prej 18 pikësh pas vetëm pak minutave në këtë sfidë, duke lënë të kuptohet se Raptors ishin në një mbrëmje të mirë. Por, nuk ishte i këtij mendimi LA Clippers, që kërkonte të luante shanset e fundit për në fazën e “playoff”-it dhe skuadra kaliforniane arriti të bëjë përmbysjen në rezultat dhe të fitojë këtë ndeshje falë edhe 26 pikëve të Lou Williams.

Të njëjtin fat pati edhe Golden State, që u thye nga Utah Jazz 110-91. Skuadra kampione e NBA zbriti në parket pa 4 yjet e saj dhe mungesa e tyre u ndje shumë. Në fakt, Utah Jazz gjatë kësaj sfide arriti të krijojë një avantazh deri në 26 pikë kundrejt Warriors, që tashmë sheh se e ka pothuajse të pamundur t’i marrë vendin e parë në Konferencën e Perëndimit Houstonit, që fitoi edhe ndaj Atlantës. Për Utah Jazz spikatën Donovan Mitchell me 21 pikë e Rudy Gobert me 17 pikë e 15 topa në tabelë.

Brooklyn Nets kryesoi në rezultat gjatë ndeshjes me Cleveland, por ishte ky i fundit që e fitoi atë. 121-114 ishte rezultati i ndeshjes në favor të skuadrës nga Ohajo që e vendosi fatin e sfidës në favorin e saj në periodën e katërt, kur regjistroi rezultatin e pjesshëm 34-25.

Si gjithnjë, më i miri në parket për Cleveland ishte LeBron James me 37 pikë, 10 topa në tabelë e 8 asist, ndërsa për Nets u dallua Joe Harris me 30 pikë, 18 nga të cilat i shënoi nga distanca e 3 pikëve.

Top Channel