Lëvizja e qeverisë shqiptare për vendosjen e taksës në “Rrugën e Kombit” ka shkaktuar reagime të ashpra në Kosovë, qytetarët e së cilës e frekuentojnë ndjeshëm atë segment.
Indinjatë kanë shprehur si zyrtarë qeveritarë e deputetë, ashtu edhe shtetas të thjeshtë, të cilët e konsiderojnë të lartë shumën që duhet paguar.
Ndër zërat e parë kritikë ishte ai i ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili e bëri të qartë se do t’i kërkonte sqarime homologut shqiptar, Damian Gjiknuri.
“Sa i përket çmimit për taksën, në kuptimin afatshkurtër është i shtrenjtë. Kjo do të sillte rënien e remitencës në të dyja anët e kufirit, meqenëse Shqipërinë, kryesisht në verë e frekuentojnë çdo ditë shumë qytetarë të Kosovës. Është moskoordimin me qeverinë e Kosovës, për këtë arsye nuk e përkrahim. Me siguri që biznesi penalizohet”, tha Pal Lekaj.
Aktivë në kundërshtinë e tyre janë shfaqur edhe deputetët e LDK-së, Arben Gashi, Ismet Beqiri e Haxhi Avdyli, të cilët iu drejtuan rrjeteve sociale për të shprehur pakënaqësinë e tyre.
I ashpër u tregua në komente Beqiri, që pyeti nëse i vjen turp qeverisë shqiptare nga të tilla vendime. Zafir Berisha kërkoi nga ekzekutivi kosovar, që të mos tregohet indiferent, por të ndërhyjë.
Taksën, ndërkohë, e përkrah kryebashkiaku i Prishtinës, i shkëputur së fundi nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpend Ahmeti.
“Në politikat publike, autostradat konsiderohen të mira gjysmëpublike”, ka shkruar Ahmeti në Tëitter. “Dikush duhet të paguajë për mirëmbajtjen, ose të gjithë përmes taksave, ose vetëm ata që e përdorin përmes pagesës”, shtoi ai.
Top Channel