Kosovë, policia pengon ministrin serb: Vulin s’ka marrë leje

26/03/2018 12:23

Përmes një njoftimi për mediet, Policia e Kosovës ka njoftuar nxjerrjen e forcave të shumta të policisë në Jarinjë, për t’iu ndaluar hyrjen në Kosovës dy zyrtarëve serbë, Aleksandar Vulin dhe Marko Djuriç.

“Policia e Kosovës, bazuar në planifikimet e saj, në zbatim të vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës për ndalimin e vizitës në Kosovë të zyrtarëve serbë Vulin dhe Djuriç, ka angazhuar njësitë e duhura policore për implementimin e vendimit. Sipas informacioneve dhe deklarimeve të vet zyrtarëve serbë, përkundër vendimit zyrtar të autoriteteve të Kosovës për ndalimin e hyrjes së tyre, ata ishin shprehur se do ta realizojnë vizitën e tyre të planifikuar në veri të Mitrovicës”, thuhet në njoftim.

Më tej, Policia e Kosovës ka sqaruar se për të zbatuar vendimin zyrtar të autoriteteve shtetërore ka angazhuar njësitë e duhura policore, të cilat do të veprojnë në përputhje me situatën, bazuar mbi vendimin e MPJ-së së Kosovës.

“Do t’iu lejohet hyrja vetëm personaliteteve që do të kenë siguruar leje zyrtare nga autoritetet e shtetit të Kosovës, për të realizuar vizitat e tyre të planifikuara sipas kërkesës zyrtare”, thekson policia.

Gjithashtu, Policia e Kosovës ka apeluar ndaj qytetarëve që të mos bien prè e dezinformimeve lidhur me këtë rast.

“Policia e Kosovës, në kuadër të autorizimeve dhe kompetencave ligjore, ka ndërmarrë veprime në drejtim të dislokimit të njësive përgjegjëse në terren në pjesën veriore të Kosovës, me të vetmin qëllim, zbatimin e vendimit të qeverisë. Në kuadër të kësaj dëshirojmë të informojmë të gjithë qytetarët tanë, në veçanti ata në veri të Kosovës, të mos të bien prè e çfarëdo keqinformimi lidhur me angazhimet tona në atë pjesë”, thuhet në njoftim.

Policia ka ritheksuar se mbeten të përkushtuar në zbatimin e rendit dhe ligjit, si dhe ofrimin e shërbimeve policore për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel