Beckham, me plane të qarta për Miamin në MLS. Zidane, Rooney, Ronaldo…

26/03/2018 11:58

David Beckham ka marrë “dritën e gjelbër” për të qenë pronar i një skuadrës së Miamit, në MLS, dhe do ta ketë licencën në vitin 2020.

Lajmi bëhet i ditur nga “Daily Mail”, sipas të cilit, tashmë britaniku ka filluar të planifikojë gjithçka, që skuadra e tij të jetë gati në momentin që do të hyjë në divizionin e parë të futbollit në SHBA.

Gjithnjë sipas “Daily Mail”, Beckham po mendon të bëjë blerje të mëdha, duke nisur nga pankina. Në këtë aspekt, emri që po përmendet është ai i Carlo Ancelottit, që për momentin nuk ka skuadër.

Beckham ka punuar edhe më parë me italianin dhe do t’i pëlqente të kishte një bashkëpunim tjetër me të. Por, Beckham ka dhe një opsion tjetër për sa i përket stolit të Miamit: Zinedine Zidane, me të cilin anglezin e lidh një miqësi e fortë që nga koha kur ata ishin bashkë te Reali i Madridit.

Gjithsesi, për Beckham do të jetë e vështirë ta bindë Zidane të transferohet në SHBA, nëse gjërat do të shkojnë mirë te Reali.

Për sa u përket lojtarëve, një prej atyre që mund të pranojë ndonjë ofertë të Beckhamit është Wayne Rooney, një prej idhujve të Manchester United, që aktualisht është pjesë e Evertonit.

Ish-sulmuesi i përfaqësueses angleze e ka shprehur në disa raste interesin e tij për kampionatin amerikan të futbollit. Por, ai që preferohet më shumë, edhe pse emri i tij nuk është përmendur shpesh, është Cristiano Ronaldo.

Beckham shpreson që t’i rezervojë portugezit fanellën me numrin 7 të skuadrës së Miamit. Ronaldo, në vitin 2020 do të jetë 35 vjeç dhe do të jetë një vit para përfundimit të kontratës me Realin, por për portugezin duket se do të jetë e vështirë të braktisë kampionët e Spanjës dhe Europës, sidomos nëse vazhdon të luajë në këto nivele si aktualisht.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel