Irini Bua është një nga banorët e Dhërmiut, e cila denoncoi publikisht në Top Channel grabitjen e tokës në bregdet. Kamera jonë ishte këtë të diel në pronën që ajo pretendon se i është marrë padrejtësisht dhe sjell historinë.
Irini Bua, gruaja që denoncoi grabitjen e tokës së saj në emisionin “Të Paekspozuarit” në Top Channel e shikon çdo ditë dhe shpreson të gjejë drejtësi.
“Gjithë prona është 22 mijë metra, 11 metra i ka marrë Alket Hyseni, 11 metrat e tjera janë ndarë mes Arjan Hasanit, Ilia Tako dhe Gent Malkos”, tregon Irini Bua.
Ajo thotë se ka kallëzuar jo vetëm deputetin e Vlorës Alket Hyseni, por edhe kryeministrin Edi Rama.
“Alket Hysenin e kam denoncuar tek Krimet e Rënda, nuk më është kthyer përgjigje. Kam bërë kallëzim penal kundër Edi Ramës për shpërdorim detyre për arsye se ka dhënë leje ndërtimi mbi pronën e marrë masë sigurie”, tregon ajo.
Historia e zonjës Irini Bua nis që në vitin 1991, kur pronat në Dhërmi nuk u ndanë vetëm sipas ligjit 7501. Ajo thotë se pati një ndërthurje për ndarjen e tokës mes kufijve të vjetër dhe ligjit që nisi të zbatohet menjëherë pas rënies së diktaturës.
“Nuk e kam ndarë pronën me 7501-shin, por ka marrë gjithsecili pronën e tij. Kështu Ramë dakord”, thotë ajo.
Por, gjithçka ka ngecur në vitin 2013, kur mes fisit Bua, të cilët Irini i përmend me emra nisën proceset gjyqësore, pasi një prej pjesëtarëve të familjes që ishte arratisur në Amerikë rezultonte i përjashtuar nga lista e përfituesve të pronës së trashëguar. Madje, në këtë rast është përmendur edhe një testament i lëshuar që në vitin 1986, për të cilin Irini Bua thotë se është i falsifikuar, sepse në atë kohë as bëhej fjalë për ndarje prone.
“Ne pamë që ai përdori një testament të 86-s. Që ishte në dosjen e 2013-s, ku shkruhet se: “Athina Bua, ia lë të gjithë pasurinë pas vdekjes”. Në një kohë kur prona nuk kishte dalë për t’u marrë”, sqaron ajo.
Zonja, që denoncoi skandalin e pronave në Dhërmi flet me emra konkretë dhe disponon të gjitha dokumentacionin e plotë për vjedhjen e një sipërfaqeje prone, e cila ndonëse është nën masë sigurie në të ndërtohet, pasi ka kaluar në dy apo tre shitje.
“Shitja e parë është bërë tek Ilia Taka, Thedhori Dumo në Dhërmi është sekseri i Alket Hysenit, shitjen tjetër e ka bërë Arjan Hasani”, thotë ajo.
Top Channel