Policia e Fierit ka goditur një tjetër rast të shpërndarjes së drogave të forta, ku ka arrestuar tre persona dhe ka sekuestruar 36 doza kokaine.

Në sajë të operacionit të koduar “Mesnata” janë vënë në pranga Shkëlzen Gjata, 24 vjeç, Mariglen (Renato) Mellaraj, 35 vjeç, dhe Pranvera Isufaj, 27 vjeçe.

Arrestimi i tyre u bë i mundur mbi bazën e informacioneve të mara më parë në rrugë operative se në lokalin ”New York” në lagjen “Apollonia” Fier gjatë një feste ”Party” që do të zhvillohej aty do të shitej lëndë narkotike.

Policia ka kryer kontrolle në mesnatë në lokalin në administrim të Gjatës dhe Mellarajt, dhe nga kontrolli i ushtruar në një dhomë me mbishkrimin ”Private” u gjendën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 36 copë kokainë, një peshore elektronike, një palë gërshërë, një fletore shënimesh etj.

Gjatë kohës së kontrollit fizik të personave që ishin në këtë lokal dhe më konkretisht në çantën e krahut të Pranvera Isufaj, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 (dy) thika me teh të përkulshëm të dyshuara si armë të ftohta.

Po kështu Isufaj ka kundërshtuar hapur veprimet e policisë duke përdorur dhe forcën me veprime aktive e për pasojë ka penguar në kryerjen e detyrës punonjësit e policisë si dhe i ka ofenduar ata.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, në ngarkim të shtetasve Shkëlzen Gjata dhe Mariglen Mellaraj për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Nxitja për përdorimin e drogës” parashikuar nga Nenet 283/2, 285/a dhe 286 të Kodit Penal, dhe ndaj shtetases Pranvera Isufaj për veprat penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” parashikuar nga Nenet 279 dhe 236/2 të Kodit Penal.

Top Channel