Kur Reali luante në finalen e Kupës kundër vetes

24/03/2018 15:35

As rregullat strikte të Federatës Spanjolle nuk e ndaluan dot këtë.

Mund të duket e pabesueshme, por ka ndodhur vërtet. Një hapsirë në rregullore bëri të mundur që në finalen e Kupës së Mbretit të vitit 1980, Real Madrid të luante kundër Real Madrid Castilla, skuadrës rezervë të klubit. Përfytyrojeni sa e çuditëshme do të ketë qenë në stërvitje…

Edhe pse skuadra e dytë u mund 6-1 në atë finale, sigurisht që ishte një sezon përrallor për të. Jo vetëm se arriti deri në finale e Kupës, por edhe për faktin që u kualifikua për në Kupën e Kupave, pasi skuadra e parë ishte kualifikuar për në Kupën e Kampionëve.

Po si arriti Castilla deri në finalen e Kupës së Mbretit?

Deri në vitin 1991, skuadrat rezervë në Spanjë trajtoheshin krejtësisht si të pavarura nga skuadra e madhe. Edhe pse nuk lejohej që ato të luanin në të njëjtën kategori, ishin të lira të merrnin pjesë në Kupën e Mbretit.

Në përgjithësi, skuadrat rezervë dështonin që në raundet e para të kupës dhe nëse shorti do t’i vendoste kundër skuadrave “mëmë”, ai rihidhej për të nxjerrë një kundërshtar tjetër. Kështu që e vetmja mundësi që përballja të ndodhte ishte në finale, diçka që nuk mund të ndodhte kurrë… të paktën kështu kishin menduar hartuesit e rregullores.

Por edhe pse me lojtarë të gjithë nën 23 vjeç dhe me një trajner të ri si Juanjo Garcia Santos, 34 vjeç, Castilla i kaloi me sukses të gjitha raundet dhe për 45 minutat e para mbajti rezultatin 0-0 kundër skuadrës së madhe. Pas pushimit, Reali dominoi totalisht falë emrave të mëdhenj të kohës, si Del Bosque, Camacho e Santillana, duke fituar 6-1.

Por pavarësisht humbjes, Castilla, mbetet në historinë e futbollit si skuadra e vetme rezervë që ka marrë pjesë në një kompeticion të UEFA-s. Në raundin e parë të Kupës së Kupave, ajo u ndesh me West Ham, duke e mundur 3-1 në Madrid, për t’u thyer 5-1 në ndeshjen e kthimit në Londër.

FOTO GALERI
3/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA