Çmimi për gratë e guximshme, DASH vlerëson edhe shqiptaren e Kosovës

24/03/2018 13:24

Në Departamentin amerikan të Shtetit u mbajt të premten ceremonia e ndarjes së Çmimeve për Gra të Guximshme në botë.

Mes 10 grave që u vlerësuan me çmim nga Zonja e Parë, Melania Trump, ishte edhe drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve dhe Torturës, Feride Rushiti.

Ky çmim jepet çdo vit nga Departamenti amerikan i Shtetit, për gratë që kanë dëshmuar lidership dhe guxim të jashtëzakonshëm në mbrojtje të paqes, drejtësisë, të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave.

Bashkëshortja e presidentit amerikan Donald Trump, Melania e motivoi çmimin me përkushtimin, kontributin dhe arritjet e Rushitit në këto fusha.

Pas nderimit në Uashington, drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve dhe Torturës do të ndjekë programin ndërkombëtar për lidership, në kuadër të të cilit do të vizitojë shtete të ndryshme në SHBA dhe do të ketë takime me organizata dhe biznese.

Qëllimi është vendosja e bashkëpunimit në zhvillimin e politikave dhe strategjive për fuqizimin e rolit të gruas në Amerikë dhe jashtë saj.

Top Channel