Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se Rusia është duke i mbështetur e madje edhe duke i armatosur talebanët.

Kreu i forcave amerikane në Afganistan, gjenerali John Nicholson i tha BBC-së se ka parë aktivitet destabilizues nga rusët, armët e të cilëve po kontrabandohen përgjatë kufirit taxhik, për të përfunduar në duart e talebanëve.

Nicholson nuk e tha megjithatë se për çfarë sasie bëhet fjalë. Moska i ka mohuar akuza të ngjashme amerikane në të shkuarën, me pretendimin se ato nuk mbështeteshin nga prova konkrete.

Pretendimet e reja mbërrijnë në një moment delikat për marrëdhëniet e Rusisë me NATO-n. Vendi anëtar i aleancës më të madhe ushtarake të globit, Britania është ngërthyer në një mosmarrëveshje me Rusinë që prej helmimit të një ish-agjenti rus dhe të bijës në tokën angleze me gaz nervor. Shohim një tregim që e ekzagjeron në mënyrë trashanike numrin e luftëtarëve të ISIS-it në vend, thotë Nicholson, dhe që më pas përdoret si argument për të justifikuar rusët në legjitimimin e veprimeve të talebanëve e madje dhe në dhënien e një lloji mbështetjeje për ta, shton ai.

Gjenerali Nicholson e ka ndërtuar pjesën më të madhe të karrierës së tij gjatë konfliktit në Afganistan. Ai i shpëtoi për pak vdekjes kur zyra e vet në Pentagon u shkatërrua nga njëri prej avionëve të 11 shtatorit e që prej atëherë e ka kthyer Afganistanin në fokusin e vet. Kreu i komandës amerikane atje beson se përfshirja direkte e rusëve me talebanët është relativisht e re, ndërsa kujton edhe një seri manovrash të ndërmarra nga forcat e Moskës në kufirin afgan me Taxhikistanin.

Top Channel