Mbrëmja e gjigantëve, Gjermani-Spanjë ndahen në “paqe”. Anglia mposht “tulipanët”

23/03/2018 22:48

Gjermania dhe Spanja e mbyllën në barazim 1-1 miqësoren tjetër të luksit të këtij muaji mars, të luajtur në stadiumin e Dyseldorfit, një matje forcash që i mban të dyja skuadrat në nivelin e pretendentëve për Botërorin.

Rodrigo i Valencias iu dha epërsinë iberikëve pas vetëm 6 minutash lojë, por një goditje mjaft e bukur e Thomas Muller nga jashtë zone fiksoi barazimin në 1-1 që në minutën e 35-të.

Asgjë tjetër për t’u shënuar në pjesën e dytë, përveç zëvendësimeve të shumta nga të dyja ekipet, por pa ndikuar më tej në rezultat.

Ndërkohë, Holanda e rinovuar e Ronald Koeman dështoi në “Amsterdam Arena” përballë Anglisë. 90-minutëshi tjetër prestigjioz kurorëzoi suksesin e ishullorëve, me golin e vetëm të shënuar nga Lingard, me një gjuajtje nga jashtë zonës.

Në miqësoret e tjera bie në sy fitorja e Portugalisë, 2-1 ndaj Egjiptit, ku për “brazilianët” e Europës shënoi dy herë Cristiano Ronaldo, duke përmbysur golin e Mohamed Salah. Edhe këtu, pjesa e parë u mbyll pa gola dhe i gjithë spektakli u zhvillua gjatë 45-minutëshit të dytë, ose më saktë në minutat shtesë të lojës.

Top Channel