Miliona tifozë të Usain Boltit po e shohin atletin në një tjetër disiplinë. Sprintierit xhamajkan dhe rekordmenit olimpik të pistave të vrapimit iu deshën thuajse dy vite për të zbarkuar te Borussia e Dortmundit, skuadër me të cilën po zhvillon testet për të bindur stafin teknik dhe drejtuesit që t’i ofrojnë një rol, edhe pse dytësor si futbollist.

Ajo që shihet si një manovër e bukur marketingu, me një përfitim dypalësh, është një “martesë” që po bekohet nga kompania “Puma”, sponsor që lidh njeriun më të shpejtë në botë me klubin nga Bundesliga gjermane.

Ciceroni dhe udhërrëfyesi i Usain Boltit në vizitën te Borussia ishte sulmuesi Mario Gotze, ndërsa në fushë, xhamajkani iu bashkua seancës me kapacitet të plotë, ku nuk mungoi spektakli.

“Do të zhvilloj këto teste dhe vetëm pas tyre do të mund të shohim nëse jam në lartësinë e duhur apo jo. Do të flas më pas me drejtuesit e Dortmundit. Duhet të kuptoj se cili është niveli im. Po jetoj një ëndërr dhe një kapitull të ri në jetën time, por të shohim si do të përfundojë”, tha Usain Bolt, kampion olimpik në 100-metërsh.

Jo pak tifozë heqin tashmë paralele mes njeriut më të shpejtë në planet dhe legjendës së basketbollit Michael Jordan. Mbreti i pistave po provon tashmë futbollin, ashtu siç Jordan provoi të linte shenjë në bejzboll, një aventurë e dështuar që gjithsesi nuk ia uli popullaritetin ish-basketbollistit të NBA-së.

Top Channel