Marrëveshja e Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës do të mund të kalonte vetëm me 80 vota pro, apo dy të tretat e numrit total të deputetëve, e pikërisht mosarritja e tyre ishte arsyeja e dështimeve të njëpasnjëshme të një ratifikimi të kontestuar ashpër, nën arsyetimin e humbjes së territoreve.

Skenari do të ishte përsëritur edhe të mërkurën, nëse balancën nuk do ta ndryshonte një votë e vetme: ajo e deputetit goran të “Listës Serbe”, Adem Hoxha. Qëndrimi i tij, i cili u përcoll me polici deri në Kuvendin e Kosovës dhe menjëherë pas votimit, po nën masa të rrepta sigurie u kthye në Dragash, ku edhe jeton, rezultoi vendimtar për fundin e sagës trevjeçare të Demarkacionit.

Kryetari i partisë gorane “JGP” ka qenë deri më tani besnik ndaj Serbisë, por veprimi i tij kontrastoi këtë radhë me atë të deputetëve të tjerë të “Listës Serbe”, që deri më tani kanë preferuar të mos e komentojnë këtë zhvillim.

Goranët e Dragashit nuk e shohin veten si pjesë të Kosovës, por i hedhin sytë nga Beogradi për ruajtjen e identitetit të tyre. Banorët e zonës në Jugun e thellë të Kosovës, ashtu si të ngjashmit e tyre në Shqipëri e Maqedoni, përcaktohen si myslimanë që flasin gjuhën sllave.

Hoxha, i shndërruar papritur në njeriun më të kërkuar të ditës, e kishte lënë të kuptohej se vota e tij do të shkonte në favor të marrëveshjes, si mënyrë për të ndihmuar liberalizimin e vizave, e nuk e zhgënjeu shumicën shqiptare.

Kthesa, megjithatë, nisi që me ndryshimin e qëndrimit të Donika Kadaj-Bujupit, deputetes së larguar të Vetëvendosjes, e cila vetëm përpara pak kohësh e anatemonte hapur paktin, aq sa do të kthehej edhe vet në njërin prej personave që hidhnin gaz lotsjellës në sallë, duke pranuar të përfundonte dhe në qeli për të mos i falur, siç thoshte atëherë, 8.000 hektarë tokë Malit të Zi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA