Pas Demarkacionit, vizat. Kryeparlamentari Veseli: Do të hiqen brenda vitit

22/03/2018 14:01

Pas ratifikimit dramatik të marrëveshjes së Demarkacionit nën tymin e gazit lotsjellës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli shprehet i bindur se Bashkimi Europian do t’i liberalizojë vizat brenda vitit.

“Jam shumë i bindur në partneritetin me BE-në”, deklaroi ai.

“Ambasadorët ishin në Kuvend që në orët e para të ditës së mërkurë”, kujton kryeparlamentari, dhe sipas tij mesazhi ishte ky: BE është me ne!

“Mendojmë se nga mesi i dhjetorit do të përfundojë çështja e udhëtimit të lirë të kosovarëve pa viza”, u shpreh Veseli.

Zyrtarët e lartë të bllokut nxituan ta përshëndesnin aprovimin e marrëveshjes, që përçau për 3 vite skenën politkike kosovare.

“Kosova niset në rrugën drejt lëvizjes së lirë pa viza në Bashkimin Europian për qytetarët e saj”, shkroi në “Tëitter” shefja e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së, Federica Mogherini.

Të njëjtin mesazh e përcolli më pas edhe në deklaratën e përbashkët të lëshuar me Komisionerin e Emigracionit, Dimitris Avramopoulos, dhe atë të Zgjerimit, Johannes Hahn.

Europarlamentarja Tanja Fajon, njëherësh raportuese për Kosovën në Parlamentin Europian, tha se kjo ujdi heq një pengesë të madhe për vendin.

“Shumë e lumtur për lajmet pozitive nga Kosova pas votimit të marrëveshjes për shenjimin e kufirit. Unë do të bëj më të mirën që liberalizimi i vizave me Bashkimin Europian të bëhet së shpejti një realitet! Kosova nuk ka qenë kurrë më pranë Europës”, u shpreh Fajon po përmes “Tëitter”-it.

Marrëveshja u ratifikua një ditë më parë në përpjekjen e pestë, pasi seanca ishte ndërprerë 4 herë prej gazit lotsjellës të hedhur në sallë nga deputetët e Vetëvendosjes. Për t’u siguruar numri prej 80 votash, sa duhej për t’u arritur dy të tretat e votave, koalicionit qeverisës iu desh edhe një votë nga “Lista Serbe”, votë pro të cilën e dha Adem Hoxha, deputet i pakicës gorane.

Nëntë deputetët e tjerë serbë nuk morën pjesë në seancë. Albin Kurti, që këmbëngul se shumica dërrmuese e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje ose u arrestuan, ose u përjashtuan padrejtësisht nga seanca, vazhdon të jetë i bindur se me këtë marrëveshje Kosova humb territor dhe ratifikimin e denoncoi si tradhti.

Aprovimi i paktit u përshëndet edhe nga Tirana zyrtare dhe spektri politik shqiptar, që e vlerësuan këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm të Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.

Top Channel