MSA në Kosovë; Brusa: Të hiqen kufijtë që pengojnë operatorët ekonomik

22/03/2018 18:55

Ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi është një hap serioz në rrugën drejt Bashkimit Evropian që do të lehtësojë edhe punën e bizneseve kosovare që të jenë të pranishëm në tregjet e BE-së. Kështu deklaroi Luigi Brusa, shef i sektorit për bashkëpunim nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Komentet e tij u bënë gjatë gjatë diskutimit të projektit “Asistenca për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Direktiva e Shërbimeve të BE-së”.

“Marrëveshja e Stabilizim Asocimit është një kontratë e gjatë me shumë detaje të mëdha dhe të vogla dhe një nga këto detaje dhe një nga këto rregulla që duhet të zbatohet ka të bëjë me lëvizjen e lirë. Lëvizje të lirë të operatoreve të shërbimeve. Nëse, procesi i hyrjes në BE do të vazhdojë në mënyrë të shpejtë do të thotë që operatorët e Kosovës do të kenë qasje në tregun e BE-së”, u shpreh Luigi Brusa.

Jeton Karaçica, drejtor për ekonomi dhe treg të brendshëm nga Ministria e Integrimeve ka thënë se Kosova ka vendosur një bazë të mirë ligjore dhe ka bërë një hap të mirë por ka ende punë për t’u bërë në konsolidim të sektorit të shërbimeve në përgjithësi.

“E para në ndërtim të kapaciteteve për zbatim efektiv të MSA-së dhe rrjedhimisht për ecje përpara në procesin e integrimit. Dhe e dyta për të rritur përpjekjet për përafrim ligjor në kuadër të këtij procesi. Mesazhi kryesor prej anës sonë është që kush do të përfitonte prej zhvillimit të kësaj fushe duhet thënë patjetër që janë dy përfitues të mëdha kryesor. I pari është bizneset, për shkak se ky proces thjeshtëson procedurat e të bërit biznes edhe përfituesi dytë është qytetari”, tha Jeton Karaçica.

Nga viti 2004, Kosova ka performuar vazhdimisht me një bilanc tregtar pozitiv në sektorin e shërbimeve. Vitet e fundit eksporti i shërbimeve ka tejkaluar mbi 1 miliardë euro për çdo vit.

Top Channel