“Eco Medica” është njëra prej kompanive ekzistuese që rezulton e licencuar për të asgjësuar mbetjet spitalore, por që ekziston vetëm në letra dhe nuk gjendet asnjë vend konkret ku trajtohen mbetjet e rrezikshme.

Sipas një shkrese të dorëzuar në Prokurori nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor , kompania nuk ekziston sipas lejes mjedisore që ajo ka marrë dhe sipas të cilës fiton tendera.

Përveçse nuk ekziston, thuhet në shkresën që Top Channel zotëron, në adresën e dhënë nuk funksionon asnjë instalacion që kryen veprimtari për trajtimin dhe asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore.

Pas një lejeje mjedisore të marrë me emrin “Jamarbër Group”, leja më e fundit mjedisore i është dhënë më 20 dhjetor 2017, me adresë për asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme “Lagjja Popullore” në Shijak.

Në të përshkruhet me përpikmeri që nga kordinatat deri tek autoklava që do të përdoret për asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme.

Top Channel ishte në Shijak për të konfirmuar të dhënat e deklaruara nga ky subjekt, por aty në vend të kompanisë fantazmë që ekziston në letra si asgjësuese mbetjesh është një kompani mermeri.

Banorët, të cilët më herët kanë protestuar kundër kësaj kompanie, shprehen se në këtë adresë nuk ekziston as “Eco Medica” as “Jamarbër Group”, megjithëse ka raportuar të njëjtin vend ku duhet të asgjesonte mbetjet spitalore.

“Ata punonin tinzë. Ka kohë që ka ikur, që në muajin nëntor të vitit 2017”, thonë banorët.

Në dy biznese të aksionerit kryesor të kësaj kompanie ndodhen rresht dy incidente. Edhe në magazinën e marrë me qira prej tij në Shijak për mbetjet spitalore u vendos eksploziv.

“Eco Medica” rideklaron si adresë të re në Qendrën Kombëtare të Biznesit për zhvillim të këtij aktiviteti zonën e Fushë-Kuqës në Lezhe. Por, për këtë ndryshim të adresës, sipas ligjit për mbetjet spitalore, neni 20, pika dy, kompania duhet të aplikonte sërish për leje mjedisore, sipas kordinatave të reja që në QKB raportohet në Fushë-Kuqe, Kanali i Acidit.

Kjo gjë nuk ka ndodhur. Megjithatë, Top Channel kërkoi adresën e re dhe aty ndodhet një kompani tjetër, “V.A.Le Recycling”, administratori i të cilës pranon se dy kompanitë kanë fituar tendera spitalore së bashku, por “Eco Medica” nuk e ka patur ndonjëherë adresën aty.

Top Channel: A e dini ju ku e ka qendrën “Eco Medica”, meqenëse jeni partnerë dhe ortakë në biznes?

Elvis Miri, Administrator i “V.A.Le. Recycling: ECO MEDICA ka një kontratë me ne për mbetjet, të cilat ne i përpunojmë ku jemi të licencuar për asgjësimin e këtyre mbetjeve. Për pjesën tjetër nuk di gjë.

Siç rezulton deri më tani, me një leje që jep të dhëna të rreme, sepse duhet të rinovohej sipas kordinatave të reja, kompania fantazmë ka konkurruar për tendera për mbetjet spitalore në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe në Spitalin e Fierit , ndërsa gjatë vitit 2017, në një kohë që ajo nuk ka aspak vend për asgjësim, ka asgjësuar mbetje të rrezikshme për spitalin e Tepelenës, Ersekës, Lushnjes dhe Kuçovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA