Dopingu, Froome rrezikon praninë në “Tour de France”

22/03/2018 12:59

Tri muaj kanë kaluar nga dita kur Chris Froome rezultoi pozitiv në testet antidoping, me substancën “salbutamol” në “Vuelta a España” vitin e kaluar, por pavarësisht hetimeve të kryera, asnjë nga organizatorët e garave çiklistike nuk e ka ndaluar britanikun që të marrë pjesë në kompeticionet e kësaj disipline sportive.

Ata që po e planifikojnë marrjen e kësaj mase janë pikërisht organizatorët e “Tour de France”, lajm që bëhet i ditur nga “Press Association”, që thekson se Froome nuk do të lejohët të garojë në ngjarjen më të rëndësishme çiklistike të vitit, nëse nuk e zgjidh përfundimisht çështjen e tij të dopingut, edhe pse “Team Sky” e kërkon praninë e tij.

Organizatorët e “Tour de France” e morën parasysh mundësinë e përjashtimit të Froome nga ky kompeticion, pas deklaratës së presidentit të Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit, David lappartient, i cili pranoi se çështja e britanikut nuk do të mund të zgjidhet përpara fillimit të “Giro d’Italia”, një tjetër objektiv i rëndësishëm i Froome.

Këtë vit Froome mori pjesë në “Xhiron e Andaluzisë” dhe në “Tirreno-Adriatico”, ndërkohë që ditën e mërkurë bëri të ditur se është regjistruar për të marrë pjesë në “Turin e Alpeve”, që do të zhvillohet më 16-20 prill, gjë që do të thotë se Froome po përgatitet seriozisht për të garuar në “Giro d’Italia”, pavarësisht hetimeve që po kryhen mbi të.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA