Zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Hantin Bonati, në konferencën në kuadër të Ditës Botërore të Ujit foli dhe për rezultatet e reformës së ujit. Ai tha se janë lidhur mbi 20 mijë kontrata të reja uji në pak muaj.
“Gjej rastin të falënderoj të gjithë ata konsumatorë që janë përgjigjur thirrjeve për të formalizuar lidhjet e tyre sikurse përgëzoj punën e deritanishme të ndërmarrjeve të ujësjellës/kanalizimeve në pjesën më të madhe të bashkive. Kemi një rezultat që janë mbi 20 mijë kontrata të reja të formalizuara çka në kontekstin e përgjithshëm është një shifër shumë domethënëse”, u shpreh Bonati.
Pjesëmarrësit nënvizuan nevojën për forcimin e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit midis institucioneve që punojnë në sektorin e ujit me synimin për të përmirësuar shërbimet e furnizimit me ujë dhe të ujërave të ndotura, por gjithashtu për të rritur ndërgjegjësimin dhe pjesëmarrjen e palëve të interesuara për t’u përballur me sfidat e sektorit.
Duke qenë një ndër shqetësimet kryesore të ardhura gjatë takimeve me komunitetin, në këtë mandat qeverisës, furnizimi me ujë është një prej pesë prioriteteve thelbësore. Konferenca është organizuar në bashkëpunim me GIZ.
Top Channel