Skandali i mbetjeve spitalore nuk ndalet. Top Channel ka siguruar prova, të cilat dëshmojnë se çka del nga spitalet përfundon nëpër kosha, landfille, lumenj dhe toka bujqësore.
Ja si funksionon skema e hedhjes dhe mbledhjes së mbeturinave të rrezikshme spitalore.
Ligji shqiptar parashikon që mbetjet nga spitali të grumbullohen nga kompanitë që kontraktohen për trajtimin e tyre.
Kompanitë, gjithsej gjashtë në Shqipëri, duhet që këto mbetje t’i trajtojnë, t’i diferencojnë e më pas mbetjet e rrezikshme t’i asgjësojnë në mënyrë të kontrolluar në autoklavat incenerator.
Kjo teknologji në fund lë pas vetëm mbetje të ngurta të parrezikshme, të cilat me një procedurë të rregullt ligjore duhet të depozitohen në landfille. Kjo është procedura ligjore, që duhet të zbatojë çdo kompani për të gjitha mbetjet që dalin nga spitalet. Por ka dyshime serioze se pjesa dërrmuese e mbetjeve, përveç shiringave, fashove të gjakosura, por edhe mbetjet që dalin nga sallat e operimit përfundojnë direkt në landfille.
Top Channel vëzhgoi për disa ditë fushat e mbetjeve. Në landfillin e qytetit të Fierit ka me shumicë shiringa e mbetje që dalin nga spitalet dhe në këtë zonë lëvizin shpesh edhe kafshët, që gjëjnë ushqim mes plehërave ku ndodhen edhe ato spitalore.
Spitali i qytetit të Vlorës e ka një autoklave që supozohet të trajtojë mbetjet spitalore, por pamjet nga sheshi i mbetjeve në Vlorë tregojnë për mbetje spitalore, të cilat edhe datën e prodhimit e kanë shumë të re.
E njëjta situatë është edhe në Durrës. Në fushën e mbetjeve, por edhe në Korçë, gjen me shumicë mbetje të rrezikshme. Ndërkaq, mbetjet spitalore të kryeqytetit i rrëmben Lumi Erzen dhe i depoziton në bregun e detit.
Këto mbetje që përfundojnë në natyrë duhej që të ishin asgjësuar, sepse çdo vit nga buxheti i shtetit jepen para që nuk dihet ku përfundojnë. Pra qytetarët e Shqipërisë humbin dy herë, një herë duke paguar taksa që mbetjet e tyre të asgjësohen dhe digjen dhe herën e dyte duke u rrezikuar shëndeti nga mbetjet e patrajtuara në mënyrë strikte, siç e parashikon ligji shqiptar, si dhe ligjet e Bashkimit Europian.
Kjo situatë që vazhdon prej vitesh natyrisht, ka vetëm një shpjegim; korrupsion me mbtejet që fillon nga dera e spitaleve tek shpërndarja e tyre, tek mungesa e kontrollit dhe deri tek landfillet, të cilat pranojnë mbetjet të pakontrolluara.
Në ditët në vijim Top Channel do ta ndjekë skandalin e mbetjeve spitalore duke sjellë pamje dhe fakte të reja që provojnë këtë akt kriminal mbi shëndetin e qytetarëve të Shqipërisë.
Top Channel