Houston frenon Portland Trailblazers në ndeshjen e radhës së NBA. Në Moda Center, skuadra teksane fitoi ndaj vendasve të Portland 115-11 duke ndërprerë serinë e 13 fitoreve radhazi të kësaj skuadre.

Ndeshja mes skuadrës kryesuese të Konferencës së Perëndimit dhe asaj më në formë të momentit ishte shumë e bukur dhe e ekuilibruar. Por në fund ishte Houstoni ai që arriti të marrë fitoren dhe kjo falë paraqitjes fantastike të James Harden që e mbylli sfidën me 42 pikë të shënuara.

Për Portland, Lillard nuk rezultoi vendimtar sa Harden në këtë sfidë duke shënuar 20 pikë dhe kjo ndikoi edhe në rezultatin përfundimtar të takimit.

Ndeshje e pabesueshme u pa në TD Garden ku përballë u vunë Bostoni e Oklahoma në fund të së cilës triumfuese doli skuadra e Celtics 100-99. Bostoni tregoi se ka në përbërje lojtarë që nuk dorëzohen as në momentet më të vështira. Oklahoma falë Russell Westbrook e Paul George që shënuan 27 dhe 24 pikë, kryesoi në rezultat për pjesën më të madhe të kohës.

Kur kishin mbetur 16 sekonda nga fundi i sfidës, Thunder kryesonte me 5 pikë diferencë 99-94. Por në fund historia e kësaj ndeshjeje u rishkrua pasi Rozier shkurtoi diferencën në 2 pikë pas një gjuajtje të saktë për 3 pikë, ndërkohë që Thunder humbi dy gjuajtje të lira me Carmelo Anthony. Aksioni i fundit ishte i Bostonit që shënoi me Morris nga distanca e pikëve, 2 sekonda para mbylljes së sfidës dhe festa ishte për tifozët e Celtics.

Toronto u përball me Orlandon në sfidën e tij pa DeRozan dhe Fred Van Vleet, megjithatë arriti të fitojë këtë përballje edhe pse e pati shumë të vështirë. 93-86 ishte rezultati përfundimtar i kësaj sfide në favor të Raptors në një ndeshje ku u pa Orlando të kryesonte për pjesën më të madhe të kohës.

Perioda e fundit ishte fatale për skuadrën nga Florida që në këtë 12 minutësh shënoi vetëm 10 pikë, situatë nga e cila përfitoi Toronto që e ktheu përfundimisht ndeshjen në favorin e tij. Vendimtar në suksesin e Raptors ishte Kyle Lowry me 25 pikë, 8 topa në tabelë dhe 5 assist.

Top Channel