Minatorët mësyjnë qeverinë, kërkojnë miratimin e statusit

21/03/2018 14:30

Pas dy mësymjesh në drejtim të derës së kryeministrisë, zyrtarë të Këshillit të Ministrave dolën për të takuar minatorët, që protestonin prej gati dy orësh, për të biseduar me qeverinë për hartimin e një statusi të veçantë.

“Unë do të doja të paktën dy veta, sepse duke protestuar pa ju dëgjuar nuk do zgjidhni as ju dhe as ne asgjë”, tha zyrtarja e kryeministrisë.

Minatorëve iu premtua një takim me kryeministrin Edi Rama javën tjetër dhe nisjen e bisedimeve për hartimin e statusit.

“Ramë dakord që brenda javës së ardhshme do të kemi takim me kryeministrin, do e ribëjmë dhe njëherë të njohur me kërkesat tona të konkludojmë shumë shpejt në përpilimin e një statusi të pranueshëm nga palët. Për ne është e rëndësishme të mos dëmtohet thelbi i kërkesave tona”, thotë Fiqiri Xibri.
Minatorët kërkojnë një pension dinjitoz, trajtim social dhe mjekësor.

“Ky status që kërkojmë ne dhe me këtë kryeminsitër e qeveri që duan të na çojnë në Europë, Europa ka 200 vjet që e ka këtë status”, thotë një minator.

Ka nga ata që zvarriten gjyqeve me sigurimet shoqërore për njohjen e viteve të punës, dhe sipas tyre nxjerrja e statusit do ta zgjidhte situatën.

Në shkurt mazhoranca rrëzoi një projekt ligj të deputetit të LSI Përparim Spahiu për statusin e minatorit. Sipas qeverisë propozimi kishte efekte negative në skemën e pensioneve dhe buxhetin e shtetit.

Në industrinë e minierave në Shqipëri deri në vitet ’90 kanë qenë të punësuar mbi 40 mijë persona.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA